Raportet shqetësuese për korrupsionin në drejtësi, vendimet arbitrare u bënë shkaku që të niste një proces rindërtimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Hapi i parë ishte hartimi i ligjeve dhe ndryshimeve në Kushtetutë. Ajo që mendohej se do të ishte pjesa më e lehtë rezultoi shumë problematike me rezistencën që bëri politika. Por në vitin 2014 u ndërtua Komisioni Parlamentar për reformën në drejtësisë me drejtues socialistin Fatmir Xhafaj dhe demokratin Oerd Bylykbashi.
Nga dhjetori i atij viti deri në korrik të 2015 u zhvillua një debat i fortë dhe u kërkua edhe ndihma e komisionit të Venecias. Në korrik të 2016 erdhi radha e sprovës politike. Me ndikim direkt të ambasadës amerikane në Tiranë, 140 deputetët votuan reformën në natën e 22 korrikut të vitit 2016.
Ishte vetëm fillimi një rrugëtimi që sot bëhet 5 vjeç duke nisur me spastrimin e korporatës së gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Procesi u zvarrit me ndërtimin e institucioneve që do bënin vettingun e sistemit të drejtësisë dhe sërish angazhimi i ndërkombëtarëve e çoi përpara procesin.
Nga nisja e vettingut deri më tani u shkarkuan 142 gjykatës dhe prokurorë, 132 janë konfirmuar dhe 50 janë dorëhequr. Hapi tjetër ishte ndërtimi i drejtësisë së re dhe të gjitha pritshmëritë u vendosën tek spak, prokuroria e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ngritja e këtij institucioni zgjati dhe puna nisi e mangët për shkak se ende nuk është ndërtuar Byroja Kombëtare e Hetimit, por SPAK ka dhënë shenjat se personazhe të botës së krimit të organizuar por edhe politikanë të akuzuar për korrupsion nuk janë më të paprekshëm.
5 vite nga nisja e kësaj reformë, nuk mund të thuhet se procesi ka përfunduar. Një pjesë e madhe e gjykatave, përfshi edhe gjykatën kushtetuese që u ndërtuar e gjitha nga e para, nuk janë plotësuar me gjyqtarë. Janë më shumë se gjysma e prokurorëve që nuk janë kaluar në vetting. Vendimet abuzive nga gjyqtarët vijojnë. Politika e përkufizon këtë proces me emrin KÇK, por është vetë politika e të gjitha ngjyrave që ka kontribuar për të ndërtuar një sistem drejtësie kriminal që ende po reziston për të mos ikur nga skena.
Top Channel