Një 42-vjeçar, i identifikuar si Ervin (Astrit) Kasmi, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim është arrestuar nga policia e Kurbinit.
Kasmi është ndjekur me dron teksa vraponte nëpër ara derisa efektivët kanë ndërhyrë për ta vënë në pranga.
Në pamje duket se është ndjekur për disa minuta dhe është mbajtur nën vëzhgim me dron nga shërbimet e policisë, të cilët kishin mësuar vendndodhjen e tij në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore.
Ervin (Astrit) Kasmi, 42 vjeç, banues në Fushë Milot, rezulton me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e vjedhjes së pronës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin e ka dënuar me 3 vite burgim, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë fqinji i tij, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
41-vjeçari i identifikuar me inicialet A. B., banues në Fushë Milot, ka penguar punonjësit e Policisë në kryerjen e detyrës duke i kundërshtuar ata dhe ka ndihmuar shtetasin Ervin Kasmi të fshihet në banesën e tij.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
Top Channel