Vaksinimi i detyrueshëm në Greqi/ Mijëra vetë kundër, përleshen me policinë

22/07/2021 01:21

Detyrimin jo vetëm të vaksinimit për punonjësit e disa sektoreve të ndryshëm por edhe paraqitjen në punë të certifikatës së tyre të vaksinimit ka përcaktuar qeveria greke me anë të një amendamenti.

Sipas ligjit të ri punonjësit në njësitë e kujdesit privat, publik dhe komunal për të moshuarit, tek njësitë për personat AMEA si dhe tek strukturat shëndetësore private, publike dhe komunale duhet t’i tregojnë organit kompetent administrativ ose punëdhënësit të tyre, certifikatën dixhitale të vaksinimit apo një certifikatë diagnostike që e kanë kaluar Covidin muajt e fundit.

Në rast të kundërt pezullohen përkohësisht nga puna, pa të drejtë shpërblimi. Nga ana e tij punëdhënësi apo organi administrativ në sektorin publik do të kontrollojë dokumentacionin e tyre në mënyrë elektronike përmes platformës speciale.

Në amendament parashikohen gjoba nga 10.000 deri në 200.000 euro për punëdhënësit në këto ndjesi që do gjenden me personel të pavaksinuar. Në Greqi ka disa ditë që hyrja në teatro, kinema, restorante e bare që janë të mbyllura bëhet vetëm me paraqitjen e certifikatës europiane dixhitale të vaksinimit.

‘Është e pakëndshme t’i thuash klientit tënd të mos ulet të hajë, por përderisa është bërë ligj hyrja vetëm për të vaksinuarit, duhet zbatuar’- thotë Apostolos Gerodimos.

Ministria e turizmit ka nxjerrë një qarkore edhe për turistët nga vendet e treta, duke përfshirë edhe Shqiperinë, të cilët edhe ata mjafton të paraqesin gjatë hyrjes në restorante apo bare certifikatën dixhitale të vaksinimit të vendit të tyre, apo një certifikatë që kanë kaluar Covidin, bashkë me kartën e identitetit.

Insistimi për vaksinimin e detyruar si e vetmja rrugë shpëtimi nga rritja e vazhdueshme e rasteve që vazhdojnë në kuotën e 3000 infektimeve ditore, ka nxjerrë përsëri në rrugët e shumë qyteteve greke, të ashtuquajturit kundershtarë të vaksinimit.

Madje në Athinë protesta e tyre që ka filluar paqësisht në sheshin para parlamentit, ka përfunduar me konfrontime me forcat policore që kanë përdorur makinën e ujit me presion dhe bombat me gaz lotsjellës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA