Sherri në lokal, politikani italian qëllon për vdekje emigrantin

22/07/2021 03:13

Një politikan Italian, anëtar i partisë së ekstremit të djathtë Lega është vendosur në arrest shtëpie pasi qëlloi për vdekje një emigrant maroken me të cilin pati një sherr momenti ne lokal.

Massimo Adriatici, këshilltar i Legës në qytetin verior të Vogheras, e vrau 39 vjeçarin e identifikuar Youns El Boussetaoui  në vazhdën e një përplasjeje banale. Rasti ka shkaktuar zemërim të madh në vend, por pavarësisht kësaj lideri i partisë, Matteo Salvini, i ka dalë në mbrojtje Adriaticit, i cili ka qenë dikur polic dhe ka licencë për armëmbajtje. Kundërshtarët politikë ngriten zërin duke kërkuar llogari përse zyrtari kishte me vete armë zjarri në një vend publik.

Adriatici pretendon se marokeni i dehur kishte sulmuar disa klientë të lokalit, përfshirë dhe atë. Ai thotë se arma u shkrep vetë pasi El Boussetaoui e shtyu në tokë, por se çfarë ndodhi në të vërtetë, këtë do ta sqarojë hetimi. Salvini i njohur për platformën e tij kundër emigrantëve, thekson se politikani në fjalë është një person i respektuar në komunitetin lokal, ndërsa kritikët thonë se ai po nxiton të dalë në përfundime pa përfunduar verifikimet e policisë.

“Të gjithë pa përjashtim duhet ta dënojnë logjikën e Perëndimit të Egër dhe vetëgjyqësisë”, tha Vinicio Peluffo, kreu i Partisë Demokrate për rajonin e Lombardisë. “Nëse Lega mendon se duhet të vijmë vërdallë me armë për t`u mbrojtur, atëherë kjo është vërtet shqetësuese”, u shpreh ai.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA