Përmbytjet e mëdha në provincën Henan të Kinës qendrore kanë prekur 3 milionë njerëz dhe kanë lënë së pakti 33 të vdekur, thanë autoritetet lokale të enjten.
Sipas tyre, reshjet e rrëmbyeshme kanë derdhur shiun e një viti brenda tre ditësh në qytetin Zhengzhou.
Përmbytjet kanë shkaktuar valë të mëdha uji nëpër rrugë, tunele dhe sistem të metrosë.
Shirat janë duke vazhduar edhe sot, duke i penguar operacionet e shpëtimit dhe pastrimit.
Pamjet nga Zhengzhou kanë treguar njerëz të bllokuar brenda trenave të metrosë, me ujë deri në qafë.
Qindra prej tyre janë nxjerrë të gjallë nga ekipet e shpëtimit.
Kjo është një periudhë e zakonshme me shi në Kinë dhe përmbytjet ndodhin çdo vit.
Por, shkencëtarët kinezë thonë se ngrohja globale e ka bërë situatën më të rrezikshme dhe paralajmërojnë se moti ekstrem mund të bëhet më i shpeshtë në të ardhmen.
Top Channel