Udhëheqësja e opozitës bjelloruse kërkon përdorimin e sanksioneve nga SHBA

21/07/2021 18:59

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikanouskaya po vazhdon vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara. Të martën ajo tha se kërkoi nga zyrtarët amerikanë vendosjen e sanskioneve më të ashpra ndaj bizneseve që kanë lidhje me regjimin e Alexandër Lukashenkos. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ajo arsyetoi kërkesën e saj duke thënë se Bjellorusia po lufton për vlerat që promovohen nga Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësja e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya po kërkon nga Shtetet e Bashkaura që të bëjnë presion mbi udhëheqjen e Presidentit Aleksandër Lukashenko, qoftë edhe përmes vendosjes së sanksioneve.

“Sanksionet nuk zgjidhin gjithçka, por ato mund të ndihmojnë në ndaljen e dhunës në Bjellorusi dhe mund të detyrojnë udhëheqësit e regjimit të fillojnë dialogun me shoqërinë civile”, thotë për Zërin e Amerikës opozitarja Tsikhanousaya.

Këto komente ajo i bëri jashtë Shtëpisë së Bardhë, pas takimit me Këshiltarin amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, një nga shumë takimet e opozitares bjelloruse me zyrtarë të administratës Biden dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

“Ne ndajmë vlera të përbashkëta, si lufta për demokraci, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Ne duhet të komunikojmë në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë pranë në mbrojtje të këtyre vlerave. Mos e përkrahni Sviatlana Tsikhanouskayan ose persona të tjerë, thjeshtë qëndroni me Bjellorusinë sepse ne po luftojmë për vlerat të cilat SHBA promovon në botë“, tha ajo në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës.

“Shtetet e Bashkuara respektojnë guximin dhe vendosmërin e opozitës bjelloruse dhe qëndrojnë në krah të popullit të Bjellorusië“, shkroi në Twitter Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price u tha gazetarëve se sanskionet janë “një mjet i fuqishëm” dhe se Shtetet e Bashkuara mbështesin aspiratat e popullit të Bjellorusisë “për një të ardhme demokratike, të lirë dhe të frytshme”.

“Ne mbështesim përpjekjet ndërkombëtare për të parë në mënyrë të pavarur zgjedhjet e manipuluara të Bjellorusisë, abuzimet e të drejtave të njeriut rreth zgjedhjeve dhe shtypen që pasoi”, tha ai.

“SHBA, së bashku me partnerët dhe aletatët e saj, do të vazhdojnë të mbajnë përgjegjës regjimin e Lukashenkos për veprimet e tij, përfshirë vendosjen e sanskioneve”, tha zëdhënësja e Këshillit amerikan për Siguri Kombëtare, Emily Horne, në një deklaratë rreth takimit të së martës.

Sviatlana Tsikhanouskaya ishte sfiduesja kryesore e Presidentit Alexander Lukashenko në zgjedhjet e gushtit të vitit 2020. Por pas zgjedhjeve të cilat perëndimi i cilësoi si të manipuluara, ajo u detyrua të largohet nga vendi. Presidenti Lukashenko mohon akuzat për manipulim.

38 vjeçarja hyri në garën zgjedhore në vend të bashkëshortit të saj, Sergei Tsikhanouskiy, një bloger që ndodhet në burg nga maji i vitit 2020, nën akuzat për shkelje të rendit publik, gjë që ai e mohon./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA