Çelësat e një institucioni nuk i besohet kujtdo! Ky mësim vjen nga njësia administrative numër dy në Tiranë që dërgoi në prokurori një punonjës, që duhet të ruante objektin, por në të vërtetë kishte kopjuar çelësat.

Më pas ai hynte qetësisht në zyra dhe vuloste ç’ti kapte dora. Ngjarja u zbulua rastësisht nga punonjësit e kësaj njësie që kanë konstatuar përmes kamerave të sigurisë se punonjësi i dyshuar, Artan Cikollari, nuk qëndronte në vendin e tij të punës, por mbas përfundimit të orarit zyrtar sapo stafi largohej dhe zyrat mbylleshin, 53-vjeçari merrte vulën dhe plotësonte certifikata familjare.

I arrestuar nga policia mbas denoncimit të dy punonjësve L.M dhe L.K., roja përfundoi para gjykatës për dyshimet e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumentave.

Prokuroria thotë për Top Channel se çelësat e përdorur janë çelësa të stamposur. Ky shtetas shfaqet në kamera teksa hap kangjellat metalike me çelës, hyn brenda në zyrat e gjendjes civile dhe aty bëhet teksa përdor vulën dhe firmos. I pyetur nga prokurori i dyshuari e pranon ngjarjen me justifikimin se një fëmijë që do udhëtonte për ekskursion në Kosovë, i duhej urgjent certifikata dhe ai e shkeli detyrën për ta ndihmuar. Por, prokuroria konsideroi gjatë masës së sigurisë se një veprim i tillë është shkelje e detyrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA