Dy persona u konstatuan duke transportuar 17 emigrantë të paligjshëm kundrejt shpërblimit.
Pranë vendit të quajtur “Guri i Kuq”, në Pogradec, u kap mjeti tip furgon “Benz”, me të cilin dyshohet se drejtuesi, shtetasi S. B. (i cili ka braktisur mjetin) dhe shtetasi M. C. po transportonin 17 emigrantë të paligjshëm, të cilëve i kishin marrë 250 euro dhe iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë shpallja në kërkim e shtetasit S. B., 35 vjeç dhe u procedua penalisht shtetasi M .C., 33 vjeç, banues në Korçë”, njofton policia.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Top Channel