Përfundojnë punimet në fushën e re sanitare të mbetjeve urbane, mbulon të gjitha nevojat e Beratit për të paktën 5 vite

19/07/2021 13:14

Kryeministri Edi Rama inspektoi sot disa nga investimet e rëndësishme në qytetin e Beratit.

Në këtë Bashki, sapo ka përfunduar fusha e re sanitare të mbetjeve urbane. Ky investim i mundëson kësaj Bashkie depozitimin e mbetjeve me standarde mjedisore europiane. Një investim strategjik, sipas kryebashkiakutErvinDemo, që mbyll më në fund plagën dhjetëra vjeçare të grumbullimit të plehrave.

“Për shkak të një nga problematikat më të mëdha që kemi pasur në Bashkinë e Beratit, ky investim tashmë plotëson pjesën më të madhe të standardeve. Kemi arritur që në fund të landfilldit të bëjmë kapsulimin e të gjithë mbetjeve 20-vjeçare, të cilat janë depozituar në fund e tashmë kemi një landfilld që të paktën për 5 vitet e ardhshme mbulon të gjithë nevojat e Bashkisë së Beratit”, – u shpreh kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo.

Investimi përfshin jo vetëm rehabilitimin e vend depozitimit që ka qenë rreth 4 hektarë sipërfaqe, por edhe ngritjen e mbrojtjes lumore, pasi vend depozitimi ka qenë shumë afër lumit Osum, i cili gjatë dimrit rriste nivelin dhe një pjesë të mbetjeve e merrte me vete.

Në Berat është drejt përfundimit edhe rruga e re e Kalasë, e cila do të plotësojë çdo nevojë të turistëve që vizitojnë Kalanë e Beratit e që sidomos gjatë sezonit të verës janë të shumtë në numër, si të huaj ashtu dhe vendas.

“Ka përfunduar rreth 90% e punimeve. Rruga në vetvete plotëson të gjitha standardet dhe ka gjerësinë e duhur, dy autobusë me turistë mund të shkëmbehen me njeri-tjetrin pa asnjë lloj problemi. Rruga vazhdon dhe shkon në manastir, i cili në vetvete është kthyer në atraksion. Përveç shtrimit poshtë, të gjitha muret janë rehabilituar brenda traditës së punimit të gurit që kemi në qytet”, – tha kryebashkiaku i Beratit.

Rruga jo vetëm lehtëson lëvizjen e turistëve drejt Kalasë, por rrit edhe vlerën e pronës për banorët që jetojnë përgjatë saj, të cilët po i kthejnë shtëpitë në bujtina të vogla pritëse.

Kryeministri Rama kërkoi të tregohej kujdesi maksimal për çdo element deri në përfundim të metrit të fundit, në mënyrë që gjithçka të jenë uniform dhe estetikisht e harmonizuar.

Një tjetër investim në qytet është vendparkimi i ri , i cili do të kompletojë ofertën turistike të Kalasë së Beratit nga ana logjistike dhe infrastrukturore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA