Në Gjirokastër po mbahet një seri diskutimesh publike që për herë të parë po ftojnë qytetarët, ekspertët dhe specialistët e pavarur të japin opinionet e tyre mbi drejtimet kryesore të zhvillimit të qytetit.
“Gjirokastra flet” këtë herë solli një diskutim rreth vështirësive dhe përparësive e të qenit pjesë e UNESCO-s.
Të pranishëm ishin arkitektë, studiues, shkrimtarë, biznese të zonës historike dhe organizata të turizmit.
Ambasadori i përhershëm i Shqipërisë në UNESCO Ferit Hoxha në video-konferencë konfirmoi vështirësitë që lidhen me mbrojtjen e statusit trashëgimi botërore si dhe adresoi disa nga shqetësimet kryesore të UNESCO që lidhen me sfidat e ruajtjes së autenticitetit kur bëhet fjalë për ndërhyrje qoftë restauruese dhe qoftë transformuese siç është diskutimi mbi ndërtimin e një by pass-i.
Eventi solli qasje të reja për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore përmes qëndrimeve të një grupi arkitektësh.
Gjatë eventit u bë prezantimi edhe i një album të ri fotografik realizuar nga studiuesi Ndriçim Kulla.
Gjirokastra është duke jetuar një fazë transformimesh të shpejta për shkak të turizmit dhe investimeve që lidhen me të. Kjo fazë përtej avantazheve po ngre pikëpyetje të shumta për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Top Channel