Zyrtarët amerikanë thonë se numri i familjeve emigrante në kufirin me Shtetet e Bashkuara në qershor u rrit me 25% nga muaji i kaluar, megjithëse temperaturat e verës po rriten në shkretëtirat dhe terrenin malor të zonave kufitare jugperëndimore.
Sipas shifrave të reja të bëra publike të premten, Agjencia për Doganat dhe Mbrojtjen e kufirit ka llogaritur 55,805 anëtarë familjesh me fëmijë në qershor, krahasuar me 44,746 në maj. Megjithë rritjen e konsiderueshme, shifra është shumë më e ulët nga 88,587 në maj 2019.
Në përgjithësi, zyrtarët thonë se hasën 5% më shumë emigrantë që përpiqeshin të kalonin kufirin në qershor krahasuar me majin por një pjesë e mirë e kësaj rritjeje i atribuohet përpjekjeve të përsëritura nga njerëz që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.
Kompetencat që lidhen me pandeminë, sipas së cilave qeveria mund të dëbojë me shpejtësi shumicën e imigrantëve nga vendi pa i lejuar ata të kërkojnë azil, ka çuar në një numër më të lartë se mesatarja e atyre që përpiqen disa herë të kalojnë kufirin që do të thotë se këto shifra mund të tregojnë një numër më të madh të njerëzve se sa po vijnë realisht në kufi, tha në një raport Agjencia për Doganat dhe Mbrojtjen e Kufirit.
Kthimi mbrapsht nuk sjell pasoja ligjore, kështu që shumë njerëz përpiqen të kalojnë disa herë. Administrata e ish-presidentit Trump kishte lëshuar një urdhër për shëndetin publik në mars 2020 për të parandaluar përhapjen e koronavirusit dhe Presidenti Joe Biden e ka mbajtur atë në fuqi.
Numrat e rinj tregojnë se pak më shumë se një e treta e 188,829 njerëzve që u hasën në kufi në qershor ishin përpjekur me sukses të kalonin të paktën edhe një herë tjetër në 12 muajt e mëparshëm./VOA
Top Channel