Një zjarr i madh që po përhapej kryesisht i pakontrolluar për më shumë se një javë në Oregonin jugor detyroi zjarrfikësit të tërhiqeshin për të katërtën ditë me radhë, duke u bërë zjarri i pestë më i madh në këtë shtet prej më shumë se një shekulli, thanë zyrtarët të premten.
Zjarri në Bootleg, më i madhi mes dhjetra vatrave në terrenin e thatë të pjesës perëndimore të Shteteve të Bashkuara, ka djegur më shumë se 97,000 hektarë, një sipërfaqe më e madhe se sa qyteti i Nju Jorkut.
Megjithatë shtëllungat e tymit që mbulojnë pjesën më të madhe të rajonit nga zjarret mund të ndihmojnë për të minimizuar efektet e një tjetër vale nxehtësie që pritet këtë fundjavë në Oregon, duke u shtrirë në pjesë të Montanës, Ajdahos, Uajoming, Jutas dhe Kolorados. Zjarri ka shkrumbuar dru dhe shkurre të thata si eshkë, brenda dhe përreth pyllit kombëtar Fremont-Winema që kur shpërtheu më 6 korrik afër ujëvarës Klamath, rreth 400 km në jug të Portlandit. Shkaku i tij është duke u hetuar.
Flakët kanë shkatërruar të paktën 21 shtëpi dhe 54 struktura të tjera, thanë autoritetet. Të premten, Departamenti i Pyjeve të Oregonit tha se mbi 5000 shtëpi ishin të kërcënuara, rreth 3,000 më shumë se një ditë më parë. Kjo shifër përfaqëson një numër më të madh komunitetesh që mund të dëmtohen ndërsa zjarri zgjerohet, tha zëdhënësi i agjencisë Marcus Kauffman. Megjithatë, më pak banesa ishin në rrezik të menjëhershëm, veçanërisht përgjatë krahut jugor të zjarrit ku ekipet patën më shumë sukses.
Si pasojë, numri i shtëpive nën evakuim të detyrueshëm u përgjysmua në pak më shumë se 200 të premten, ndërsa rreth 2,700 u vendosën në gjendje gatishmërie.
I nxehti, thatësira dhe erërat pritet të përkeqësoheshin gjatë fundjavës dhe meteorologët parashikuan ardhjen e një vale tjetër të nxehtësisë perëndimore, e katërta që nga fillimi i qershorit.
Top Channel