Shumë njerëz janë evakuuar për shkak të zjarreve pyjore që po vazhdojnë për disa ditë në shtetin e Kalifornisë në SHBA, ndërkohë që gara tradicionale e biçikletave e organizuar në qytezën Markleeville gjithashtu është anuluar.
Zjarri Tamarack, i cili ndodhi në jug të Liqenit Tahoe në Kaliforni, po vazhdon të rritet.
Zjarri i shkaktuar nga rrufeja është përhapur në një sipërfaqe prej 82 kilometrash katrorë që nga dje.
Autoritetet njoftuan se zjarri kërcënon qytezën Markleeville dhe po përhapet në drejtim të Aeroportit të Qarkut Alpine.
Nga ana tjetër, edicioni i 40-të i garës vjetore të biçikletave Death Ride i organizuar nga qyteza u anulua për shkak të përhapjes së zjarrit.
Autoritetet u kërkuan sportistëve që fushuan rreth liqenit të largoheshin nga zona, kurse mijëra spektatorë që erdhën për garën e biçikletave gjithashtu u evakuuan.
Kushtet e motit me erë dhe të thatë e bëjnë të vështirë luftimin e zjarreve në Kaliforni, ku janë regjistruar temperatura rekorde.
Në shtetin e Kalifornisë, zjarrfikësit kanë luftuar për të shuar zjarret Lava dhe Henry për 23 ditë, zjarret Lukens dhe County Line për 17 ditë, si zjarret Beckwourth Complex dhe Tamarack për gati 15 ditë.
Nga ana tjetër, zjarret Dexter, Dixie dhe Lost kanë vazhduar për rreth një javë.
Zjarret pyjore në Oregonin jugor nuk janë vënë ende nën kontroll.
Sipas Qendrës Kombëtare Ndërinstitucionale të Zjarreve, 70 zjarre të mëdha në 11 shtete në SHBA kanë shkatërruar rreth 4.300 kilometra katrorë së fundmi.
Top Channel