Po planifikonin sulme gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, autoritetet turke arrestojnë 117 anëtarë të dyshuar të Shtetit Islamik pas bastisjeve në Stamboll Në një moment kulmimi të sezonit të pushimeve verore në ishullin e famshëm të Mykonos, i quajtur edhe ishulli i erërave, qeveria greke ka shpallur aty mini lockdown-in e parë lokal të palajmëruar, si pasojë e rritjes së madhe të rasteve me koronavirus në ditët e fundit.
Rritja e barrës epidemiologjike në Mykonos ishte e tillë që vetëm këtë të premte u regjistruan 40 raste të reja, një katërfishim i infektimeve brenda vetëm një javë. Me këto të dhëna, Zv/ Ministri i Mbrojtjes Civile Nikos Hardalias njoftoi rivendosjen e orës policore në ishull nga ora 1 e mëngjesit deri në orën 6, ndërsa ndalohet muzika në të gjithë lokalet prej orës 6 të mbrëmjes,masa që hyjnë menjëherë në fuqi deri në 26 korrik.
Për të gjithë ata që njohin jetën kozmopolitane të Mykonos, koncertet, baret dhe restorantet me cmimet e shtrenjta apo vizitoret e famshëm të tij, vendimi ishte sa i papritur aq edhe i papëlqyeshëm sidomos për autoritetet lokale dhe bizneset.
Por edhe 5 destinacione të tjera te njohura turistike kanë një rritje të rasteve si ishujt e Ios, Santorinit, Parosit dhe Kretës në qytetet e saj Rethymno dhe Heraklion dhe nuk përjashtohen masa të ngjashme dhe për ta, në varësi të barrës epidemiologjike.
Gjithashtu në vendimin e qeverisë bëhet e qartë se ndalohen kudo eventet e çfarëdolloj natyre me më shumë se 20 persona në ambiente personale dhe jo profesionale dhe ata që e shkelin këtë rregull do të paguajnë gjoba nga 50.000 deri ne 200.000 euro.
Gjithë partitë opozitare greke kanë reaguar duke e quajtur një dështim lockdown-in e parë lokal në ishullin simbol të turizmit vendas . Për vendimin e qeverisë greke ka reaguar edhe shtypi i huaj që thekson se megjithë këta ishuj para një muaji konsideroheshin si covid free për shkak se ishin të vaksinuar gjithë banorët ,tashmë ardhja e turistëve dhe mosrespektimi i rregullave ka çuar rastet aktive në mbi 300 për pesë ditë.
Ndërkohë që specialistët grekë këmbëngulin për intensifikimin e vaksinimeve, numri i rasteve ditore në të gjithë Greqinë mbetet ende i lartë mbi 2500, ndërsa për fat të mirë numri i viktimave dhe të intubuarve është ende i ulët.
Top Channel