Sa ndikojnë ndryshimet klimatike në përmbytjet në Gjermani?

17/07/2021 21:33

Përmbytjet e forta kanë shkaktuar vdekje dhe shkatërrime në disa pjesë të Gjermanisë dhe të Evropës perëndimore. Shkencëtarët thonë se ndryshimi i klimës luan rol për katastrofat natyrore.

Rreth 120 të vdekur dhe dhjetra të zhdukur prej përmbytjeve janë regjistruar deri tani në Gjermani, Belgjikë, Zvicër dhe Holandë. Stuhitë e forta dhe reshjet e shiut bënë që lumenjtë dhe rezervuarët e ujit të shpërthenin nga brigjet e tyre dhe përmbytjet e shpejta i shndërruan rrugët në përrenj të furishëm që merrnin me vete makinat dhe shkatërruan ndërtesat.

Deutschland | Unwetter - Hochwasser in Heimerzheim

Gjatë javëve të kaluara Gjermania ka përjetuar ndryshime të shpeshta moti: temperatura të larta dhe thatësi të ndjekura nga reshje të fuqishme.

Të mërkurën dhe të enjten (14./15.07) ky fenomen u shoqërua nga përmbytje katastrofike në rajone të shumta në të gjithë Gjermaninë perëndimore dhe vendet fqinje.

Deutschland Unwetter Schäden | Rheinland-Pfalz

Ekspertët thonë se një mot i tillë ekstrem dikur ndodhte një herë në një brez, por se në të ardhmen mund të ndodhë më shpesh – dhe me më shumë intensitet – një shenjë kjo që ndryshimi i klimës po ndikon në jetën tonë.

A është ky mot normal për Gjermaninë?

“Zakonisht, një mot të tillë e ndeshim vetëm në dimër”, tha për stacionin WDR Bernd Mehlig, ekspert për mjedisin në landin Nordrhein-Westfalen (NRW) – rajoni i goditur më shumë nga shirat. “Diçka e tillë, me këtë intensitet, është plotësisht e pazakontë në verë.”

Deutschland Unwetterkatastrophe | Bad Neuenahr-Ahrweiler in Rheinland-Pfalz | Müll

Zëdhënësi i ekipit të krizës të qytetit Hagen parashikoi që uji do të arrijë nivele që nuk janë parë më shumë se katër herë në shekull. Ai tha se pjesë të qytetit do të jenë të paarritshme dhe të izoluara për shkak të nivelit të lartë të ujit.

“Ky është normaliteti i ri,” thotë Johannes Quaas, meteorolog pranë Universitetit të Leipzigut: “Ndryshimi i klimës po ndryshon gjithashtu përkufizimin e motit normal. Ne po i afrohemi ngadalë një norme të re që përfshin modele të ndryshme reshjesh.”

A ndikojnë ndryshimet klimatike për përkeqësimin e përmbytjeve?

Rritja e temperaturave i bën zhvillimet ekstreme të motit edhe më intensive. Kur nxehet ajri ai përmban më shumë lagështi, një fenomen që shkencëtarët e zbuluan në shekullin e 19-të. Një ngritje prej një grade e temperaturës e rrit me 7% aftësinë e ajrit për të konservuar lagështirën. Rritja e temperaturave globale çon gjithashtu në një avullim më të shpejtë të ujit në tokë dhe në det – duke shkaktuar më pas fenome edhe më ekstreme atmosferike me reshje dhe stuhi më të mëdha.

Deutschland Unwetterkatastrophe | Schuld, Landkreis Ahrweiler in Rheinland-Pfalz

“Reshjet e shiut që kemi përjetuar në të gjithë Evropën gjatë ditëve të fundit janë moti më ekstrem, intensiteti i të cilit po forcohet nga ndryshimi i klimës – dhe do të vazhdojë të forcohet më tej me shtimin e ngrohjes globale,” thotë Friederike Otto nga Instituti për Ndryshimin e Mjedisit pranë Universitetit të Oksfordit.

Ndikimi i industrializimit

“Si vend industrial Gjermania po nxehet dy herë më shpejt se niveli i ngrohjes globale.” thotë Johannes Quass. “Kjo do të thotë që shanset e reshjeve të mëdha janë 20% më të larta krahasuar me shekullin e 19-të dhe 10% më të larta se kur kam lindur, pra para dyzet vjetësh.”

Kur toka dhe sistemet e kullimit dhe drenazhimit nuk mund ta thithin ujin shpejt, ose faktorë si zhvillimi urban e pengojnë shpërndarjen e reshjeve, ujërat që rrjedhin në sipërfaqe mund të shkaktojnë përmbytje të rrëmbyeshme dhe dëme të konsiderueshme.

Deutschland Unwetterkatastrophe | Bad Neuenahr-Ahrweiler in Rheinland-Pfalz

Po ashtu me shkatërrimin e disa llojeve bimësish dhe të barrierave të tjera tokësore si rezultat i ndryshimit të temperaturës dhe modeleve të motit, shumë zona natyrore që dikur absorbonin reshjet dhe ujërat e përmbytjeve janë zhdukur.

“Për sa kohë që do të vazhdojmë të lëshojmë C02, ka të ngjarë që do të vazhdojmë të shohim shira të tillë të fuqishëm”, thotë meteorologu Quass./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA