Ligjvënësja demokrate, Joyce Beatty u arrestua nga policia e Capitol Hill në SHBA, pasi mori pjesë në një protestë për të drejtat e votës që arriti kulmin në një marshim brenda atriumit të Senatit Hart Office.
Beatty, kryetarja e grupit me ngjyrë të Kongresit, mori pjesë në një tubim të vogël së bashku me 12 aktivistë jashtë ndërtesës së Gjykatës së Lartë përpara se të marshonin për në Hart, duke kënduar këngë.
Sipas CNN, pas një paralajmërimi nga policia për të pastruar zonën, Beatty ishte personi i parë i arrestuar. Anëtarët e tjerë të grupit u arrestuan gjithashtu.
“Unë qëndroj në solidaritet me personat me ngjyrë dhe aleatët në të gjithë vendin në mbrojtje të së drejtës sonë kushtetuese për të votuar”, tha Beatty.
“Ne kemi ardhur nga shumë larg dhe kemi luftuar shumë për të parë gjithçka të çmontuar dhe kufizuar sistematikisht prej atyre që dëshirojnë të na heshtin. Të jeni të sigurt se ky është vetëm fillimi. Kjo është fuqia jonë, mesazhi ynë”, shtoi ajo.
Mitingu i së enjtes ishte pjesë e një ngjarjeje të quajtur “Speak Out: Day to Call to Action in Capitol Hill”, sipas një njoftimi nga zyra e Beatty./ Telegrafi
Top Channel