Ngritja e një pike të përbashkët të kalimit kufitar të Qafë Thanës, me synimin për të ulur ndjeshëm kohën e lëvizjes së mallrave dhe lehtësuar transportin është një tjetër hap që po ndërrmeret me mbështetjen e qeverisë amerikane për të përgatitur këto vende drejt integrimit ekonomik dhe BE.
Në një takim të përbashkët mes ambasadores Yuri Kim dhe homologes së saj në Maqedoninë e Veriut, diplomatja tha se pajisjet e blera nga USAID do të sigurojnë që autoritetet doganore të arrijnë standarde më të larta në procedurat kufitare, lehtësimin e mjedisit për biznesin dhe kontrolleve për sigurinë.
“Jam këtu për të theksuar se si ndihma e SHBA po e bën Ballkanin perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më miqësor ndaj biznesit. Jo shumë kohë më parë kufijtë kanë qenë si mure, sidomos në këtë rajon, nën pretekstin e sigurisë kombëtare duke ndarë njerëzit, duke penguar tregtinë, besimin e ndërsjelltë. Ndërsa sot qëndrojmë në një kufi që është jo vetëm më i sigurt por synon të sjellë njerëzit më pranë dhe të cojë përpara integrimin paqen dhe begatinë”, tha Kim.
Ndërsa ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut Kate Marie Byrnes tha se marrëveshja e kornizës bilaterale për krijimin e pikave të përbashkëta doganore, të firmosura nga kryeministrat Rama e Zaev do të ndihmojë në ndërtimin e ekonomive me të forta, me të qëndrueshme dhe të ndërlidhura me mire, duke përmirësuar jetën e qytetarëve, duke lidhur vendet me tregjet e BE dhe duke zvogëluar pengesat ekonomike, për të hapur mundësi edhe me të mëdha ekonomike për gjithë rajonin.
Top Channel