Fatbardh Kadilli ka reaguar pasi Komisioni për Ndryshimet Statutore i rrëzoi propozimet e tij ditën e sotme, për disa ndryshime në statutin e Partisë Demokratike.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Kadilli shkruan se Komisioni kaloi kompetencat dhe se ai ka për detyrë që të japë një mendim dhe jo që të rrëzojë propozimet.
Kadilli sqaron se propozimet që, siç ai thotë, burojnë nga Manifesti Politik për ringritjen e PD, i paraqiti për dhënie opinioni, por komisioni “nuk u mjaftua me dhënien e mendimit dhe opinionit të vet, por vendosi të rrëzojë propozimet.”
Fatbardh Kadilli thotë se vendimi i marrë ditë e sotme dëshmon vijimësinë e mos reflektimit për nevojën, që sipas tij, ka PD për të ndryshuar thellësisht në mënyrë që t’u përgjigjet sfidave që ka përballë opozita.
Reagimi i plotë:
Ndryshimet Statutore
Debati për ringritjen e PD nuk mbyllet me vendime antistatutore të Komisionit Statutor.
Sot Komisioni ka vendosur se cilat nga ndryshimet që janë propozuar duhet t’i përcillen Kuvendit Kombëtar. Ky është tagër i Kryesisë dhe jo i Komisionit.
Komisioni për Ndryshimet Statutore në PD sot ka vepruar në kapërcim të kompetencave dhe të misionit të vet. Statuti parashikon qartë që të drejtën për të propozuar ndryshime statutore e ka vetëm Kryesia dhe 1/4 e Këshillit Kombëtar. Komisioni jep mendim.
Propozimet e mija që burojnë nga Manifesti Politik për ringritjen e PD ia paraqita për dhënie opinioni Komisionit, bazuar në autorizimin e mbledhjes së fundit të Kryesisë. Komisioni nuk u mjaftua me dhënien e mendimit dhe opinionit të vet, por vendosi të rrëzojë propozimet.
Ky vendim i shumicës së anëtarëve të Komisionit sot dëshmon qartë vijimësinë e mos reflektimit për domosdoshmërinë që ka sot PD për të ndryshuar thellësisht, për t’iu përgjigjur sfidave të mëdha që ka përballë opozita.
Me qëndrimin e sotëm nga komisioni synohet të mbyllet debati i domosdoshëm për një Parti më të madhe se kryetari, për një Parti më të madhe se vetvetja, për një parti që frymëzon.
Kryesia ka neser shancin që me guxim dhe përgjegjshmëri politike të marrë vendimet që presin demokratët.
Kuvendi Kombëtar duhet të shërbejë për çeljen e proceseve politike dhe jo për mbylljen e tyre.
Top Channel