Nga 1 korriku, Sllovenia ka marrë presidencën 6 mujore të BE-së, e duket e vendosur, siç pohoi dhe kryeministri Janez Jansha, të nxisë përpjekjet për përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
Që nga viti 2019, procesi ka ngecur e disa vende anëtare të prira nga Franca, bllokuan nisjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Së fundi, ishte Bullgaria që u bë pengesa kryesore për çdo përparim, pasi refuzoi t’i jepte dritën jeshile Shkupit për nisjen e negociatave nisur nga mosmarrëveshjet e lidhura me identitetin dhe historinë. Brukseli nga ana tjetër është i shqetësuar për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në vendet, të cilave dikur iu kishte premtuar se kanë një rrugë të qartë drejt bllokut.
Jansha po planifikon të organizojë një samit në muajin tetor midis udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor si një përpjekje për të fuqizuar raportet. “Nëse nuk bëjmë një hap përpara në Ballkanin Perëndimor, atëherë këto veprime do të ndërmerren nga dikush tjetër, nga dikush që ka interesa dhe vlera të ndryshme“, tha ai në Parlamentin Europian në Strasburg.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm i BE-se për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, deklaroi se “nuk ka asgjë teknike në bisedimet për normalizim të raporteve, pasi çdo gjë është shumë politike”.
Në të kaluarën bisedimet Kosovë-Serbi janë zhvilluar në dy nivele, mes delegacioneve në nivel teknik që kanë diskutuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura në nivel politik mes kryeministrave ose presidentëve. Por duket se Brukseli tani nuk preferon të bëjë një ndarje të tillë, pasi Lajçak thotë se të “gjithçka në bisedime është politike”.
Top Channel