Një 45-vjeçar u gjet i mbytur paraditen e sotme në ujërat e lumit Osum në Berat. Trupi i tij i pajetë u pa duke lundruar mbi lum nga kalimtarët, të cilët lajmëruan menjëherë policinë.
45-vjeçari u nxor i pajetë nga lumi nga forcat e Repartit Zjarrfikës të Beratit,të cilët e gjetën të ngecur në disa barishte në afërsi të Urës së Goricës dhe e transportuan drejt Repartit të Morgut në Spitalin Rajonal të Beratit. Burime nga mjekësia ligjore konfirmojnë se Mejdani ka pësuar arrest kardiak menjëherë pas rënies në kontakt me ujin e ftohtë të lumit Osum.
Të njëjtat burime konfirmojnë se peshkatari 45-vjeçar nuk kishte asnjë pikë ujë në mushkëri dhe se vdekja ka ndodhur rreth orës 06:00 të mëngjesit.
Viktima Ilir Mejdani i përkiste komunitetit Egjiptian dhe jetonte në lagjen “Çlirim” në Berat, me bashkëshorten dhe 3 fëmijët e tij. Ai peshkonte prej rreth 20-vitesh në ujërat e lumit Osum dhe peshkun që zinte e tregtonte me qeska nëpër qytet.
Burime nga të njohurit e miqtë e tij konfirmojnë se vitet e fundit Mejdani pinte shumë alkool dhe thuajse rrinte çdo ditë i alkoolizuar.
Top Channel