Superoperacioni në 4 shtete nga SPAK dhe Antimafia italiane/ Drogë, korrupsion, pastrim parash! Lëshohen 38 urdhër-arreste, mes tyre prokurorë e drejtues policie

02/07/2021 08:13

Super operacioni i trafikut ndërkombëtar të drogës, korrupsionit, abuzimit me detyrën dhe pastrimit të parave që po zhvillohet mes autoriteteve shqiptare dhe Antimafias Italiane, ka sjellë arrestimin e prokurorëve dhe drejtuesve të policisë shqiptare.

SPAK ka lëshuar 38 urdhër-arreste, për 10 prej tyre është ekzekutuar masa më parë.

Operacioni vijon të kryhet ende përfshirë 4 shtete, Italinë, Spanjën Malin e Zi dhe Shqipërinë.

Disa miliona euro janë konfiskuar të përfituara nga veprimtaria kriminale e personave të përfshirë.

Në aksionin antidrogë që po zhvillohet nga Anti-Mafia italiane, SPAK dhe Policia e Shtetit janë arrestuar Prokurori i Vlorës, Maksim Sota;  Festim Lelaj, ish-nënkomisar i policisë së Vlorës; Saimir Kurti, drejtori i Zyrës së Punës në Kavajë dhe Shefi i Sektorit të Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme, Ilir Balla.

Masat ndaj tyre janë ”Arrest Shtëpie” për shpërdorim detyre.

Pritet që Prokurori i Antimafias italiane, De Raho dhe kreu i SPAK, Arben Kraja të zhvillojnë një konferencë për shtyp në orën 10:30, për të dhënë më shumë detaje në lidhje me këtë operacion të gjerë.

Ky operacion është vijimi i operacioneve “SHEFI” dhe “KULMI”, të kryera në vitin 2018 e në vitin 2020, ku përmes deklaratave të katër bashkëpuntorëve të drejtësisë, përveç fenomeneve të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe të pastrimit të parave, edhe i gjithë “zinxhiri i prodhimit” të lëndës narkotike që nga kultivimi, prodhimi, mbledhja, magazinimi dhe më pas trafikimi në drejtim të brigjeve të Puglis në bordin e gomonëve oqeanike.

Gjatë dy operacioneve të mësipërme  u arrestuan 37 persona, u sekuestruan 40 milionë euro drogë, 4 milion euro prona, automjete e para cash.

Prokurori i Vlorës, Maksim Sota

Ish-oficeri i policisë në Vlorës, Festim Lelaj, i proceduar edhe në kohën e Tahirit është arrestuar dhe Shefi i sektorit të trafiqeve në Drejtorinë e përgjithshme, Ilir Balla për “shpërdorim detyre” dhe ndodhet në “Arrest shtëpie”.

Festim Lelaj, ish-nënkomisar i policisë së Vlorës, është arrestuar në 2017-ën për trafikimin e 2.5 ton kanabis. Vetëm pak javë më parë Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 17 vite burg, por ai do të përfitojë ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Gazetari i Top Channel raporton se Lelaj është hedhur nga kati i dytë i banesës, sapo ka parë efektivët e policisë. Për pasojë, ka pësuar fraktura në këmbë, por pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, është dërguar drejt Tiranës.

SPAK arreston si pjesë të një grupi kriminal ish-kreun e Zyrës Vendore të Punësimit në Kavajë. Saimir Kurti është arrestuar sot në Kavajë, ndërsa pak ditë më parë u arrestua në këtë qytet dhe prokurori Edmond Karriqi. Kurti është pronar dhe administrator i një bar-restoranti në Golem.

Më 17 qershor 2016 ai qe përfshirë në një plagosje të trefishtë pas një sherri të nisur për një vendparkim. Gjatë sherrit, Kurti plagosi babë e bir, Eqerem dhe Kid Kazazi, si dhe një tregtar ambulant në zonë. Policia në atë kohë e arrestoi, po pasi u arrit një marrëveshjeje mes palëve, gjykata vendosi t’i ndryshojë masën e sigurisë në arrest shtëpie me mbikëqyrje elektronike dhe më pas çështja ndaj tij u pushua.

Aktualisht, Saimir Kurti, 49 vjeç, nuk është në drejtimin e Zyrës së Punës në Kavajë, zyrë që varet nga Drejtoria e Tiranës. Ka qenë në vitin 2014, por opozita pati reaguar duke deklaruar se ishte person në kërkim ndërkombëtar për kontrabandë. Më pas u rikthye në këtë detyrë, si përgjegjës zyre për dy muaj në vitin 2016.

DALJA NE SHTYP PER OPERACIONIN

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA