8.8 mln euro grante nga Zvicra për trajnimin profesional të të rinjve/ Meta dekreton marrëveshjen

01/07/2021 12:27

Zvicra do t’i japë vendit tonë 8.8 milionë euro grant për trajimin profesional të të rinjve, marrëveshje që parashikohet të realizohet deri në gusht të vitit 2023.

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar ligjin e marrëveshjes me Zvicrën, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, për projektin “Aftësi për punë”.

Këto fonde do të përdoren për realizimin e projektit “Aftësi për punë“, të fazës së dytë.

Njoftim i Institucionit të Presidentit të Republikës

1 korrik 2021

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, ka shpallur me dekret miratimin e Ligjit nr. 78/2021, “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Konfederatës Zvicerane, për projektin “Aftësi për punë”, Faza 2, 2019-2023”.
Përmes kësaj marrëveshjeje, Konfederata Zvicerane parashikon t’i japë vendit tonë, deri më 30 gusht 2023, fonde në formën e grantit të parimbursueshëm, në vlerën maksimale prej 9.6 milionë frangash zvicerane (rreth 8.8 milionë euro). Këto fonde do të përdoren për realizimin e projektit “Aftësi për punë“, faza e dytë.
Risitë e kësaj marrëveshje janë:

1. Gjeneratat në moshë të re nga të gjitha grupet sociale në Shqipëri të gjejnë mundësi të mira dhe fitimprurëse punësimi falë përmirësimit të aftësive.

2. Gjeneratat në moshë të re të kenë akses në arsim performues me orientim drejt tregut të punës dhe ofrimit të trajnimit në sektorë me potencial zhvillimi.

3. Sektori privat merr përsipër përgjegjësinë për përcaktimin, ofrimin dhe financimin e arsimit e formimit profesional në nivel ofruesi.

Presidenti i Republikës gjen rastin të vlerësojë ndihmën e drejtpërdrejtë të Konfederatës Zvicerane, veçanërisht në rastin konkret, për të kontribuar në mbështetjen e moshave të reja të të gjitha grupeve sociale në Shqipëri, përmes projekteve për përmirësimin e aftësive profesionale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA