“Të jesh transgjinor në Shqipëri”, kështu quhet ekspozita e çelur në Shtëpinë e Europës, në Tiranë, në kuadër të Muajit të Krenarisë kudo në botë.
Po si është të jesh transgjinor në Shqipëri. Realiteti tregon se anëtarët e këtij komuniteti, shpesh duhet të maskohen, ta mohojnë, apo ta fshehin identitetin seksual dhe jo rrallëherë të bien pre e dhunës verbale dhe fizike.
“Të jesh trangjinor, është më mirë të mos jesh fare në Shqipëri. Ti je i përjashtuar nga jeta familjare, je i përjashtuar nga jeta shoqërore dhe ekonomike. Mua m’u desh shumë kohë që ta pranoja identitetin tim gjinor.
Kur isha si mashkull përfundova shkollën, kam punuar në television, dhe në punë të ndryshme.Zgjodha edhe të shkoja në kishë për të ndryshuar ndoshta mendimet e mia, ndoshta dora e Zotit do të më bënte mashkull. Sigurisht që nuk funksionoi.
Unë mora postet më të larta në kishë dhe po në kishë më gjykonin dhe më thoshin që ti nuk duhet të jesh tek priftëria, por duhet të shkosh te shoqata e ndihmës.
Unë për momentin po gjej të ardhura duke shkruar pjesë teatrale. Sapo kam vënë në skenë një shfaqje që quhet “Zanafilla” dhe kam kapur vargun ku Adami lind Evën, pra feminiliteti e ka zanafillën tek një trup mashkullor.
Në moshën 18-19 vjeçare vendosa të shfaqem kjo që jam edhe në shoqëri.
Ti je në depresion gjatë gjithë kohës. Edhe buka që ha ty nuk të shijon, kur nuk je vetvetja. Ne kemi zgjedhur burgun e Spaçit për të realizuar këto foto që shikoni në ekspozitë. Pra burgun e të internuarve, pasi në njëfarë mënyre kështu ndihemi edhe ne sit ë internuar në këtë shoqëri. Kemi zgjedhur të pozojmë me uniformat e shtetit, për të treguar që ne jemi gati të bëjmë revolucion, për të bërë një ndryshim, sepse gjinia është e shumëllojshme, secili është I lirë ta zgjedhë atë, ashtu si ndihet.
Juli Ristani
Top Channel