Një aksident është regjistruar pasditen e kësaj të martë në qytetin e Vlorës.
Një automjet tip ‘Volkswagen Golf 5’, me targa AA 012 RX ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në brendësi të një dyqani lulesh.
Dy personat të cilët ndodheshin në automjet janë larguar nga vendngjarja, ndërkohë që banorët dhe policia po përpiqen të nxjerrin automjetin nga dyqani i luleve me ndihmën e një karotreci.
Një banore aty pranë tregoi më herët për Top Channel se pasi dëgjoi një zhurmë doli në ballkon për të parë se çfarë kishte ndodhur. Ajo tha se policia dhe ambulanca mbërritën me shpejtësi në vendngjarje por dy të rinjtë janë larguar me shpejtësi nga vendi ku ndodhi aksidenti.
“Në momentin që ka ndodhur aksidenti dëgjova zhurmën dhe dola në ballkon. Pashë makinën të futur në dyqan, vjen policia dhe ambulanca në ato momente. Ambulanca iku bosh sepse s’kishte njeri në makinë. Ishin dy persona, ndodhi aksidenti, dolën nga makina dhe ikën me vrap”, shprehet qytetarja.
Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave, ndërsa po tentohet nxjerrja e mjetit nga dyqani i luleve, ndërkohë që shpejtësia tej normave dyshohet të jetë shkaku i këtij aksidenti.
Top Channel