ONM ankimoi vendimin për Elisabeta Imerajn, i paraqet prova shtesë Komisionerit Publik

29/06/2021 16:37

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), i rekomandoi Komisionerëve Publikë që të ankimojnë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për konfirmimin në detyrë të prokurores Elizabeta Imeraj, e cila drejton aktualisht Prokurorinë e Tiranës.

ONM ka paraqitur pranë Komisionerit Publik prova shtesë për Imerajn. Rekomandimi i ONM erdhi pasi KPK publikoi vendimin e zbardhur për Elisabeta Imerajn, e cila ishte vlerësuar pozitivisht në të tria kriteret. Por ekspertët ndërkombëtarë nga ana e tyre rekomandojnë që ankimimi duhet gjithashtu të përfshijë të tria kriteret.

Njoftimi i plotë

Në datën 1.4.2021, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Elizabeta Imeraj, me detyrë prokurore/Drejtuese e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vendimi nr. 363, datë 1.4.2021, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu është njoftuar Komisionerëve Publikë më datë 21.6.2021.

Në datën 21.6.2021, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u paraqiti Komisionerëve Publikë Rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, për të tria kriteret e rivlerësimit.

Në datën 29.6.2021, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u paraqiti Komisionerëve Publikë një shtesë (Addendum) të Rekomandimit, të paraqitur në datën 21.6.2021.

Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, të plotësuar në përmbajtjen e tij nga shtesa (Addendum) e datës 29.6.2021.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Shtesa (Addendum) e Rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA