Irani dhe gjashtë fuqi botërore kanë shtyrë bisedimet bërthamore për konsultime në kryeqytetet e tyre, tha të dielën i dërguari i Bashkimit Evropian në negociata.

Duke folur për gazetarët Enrique Mora nuk tha se kur mund të rinisin bisedimet, por tha se ishte bërë përparim dhe se pjesëmarrësit do të kishin një ide më të qartë se si të arrinin në një marrëveshje kur të ktheheshin.

Ai shtoi se priste që mbikëqyrësi bërthamor ndërkombëtar dhe Teherani të arrijnë një marrëveshje mbi zgjatjen e një marrëveshje monitorimi të aktiviteteve bërthamore të Iranit që përfundon më 24 qershor.

Lajmi për shtyrjen e negociatave u konfirmua më herë edhe shefi i delegacionit iranian. Ai tha se vendimi vjen pasi ndasitë mbi çështjet e mbetura për negocim nuk mund të kapërcehen lehtë.

“Aktualisht jemi më pranë se kurrë një marrëveshjeje, por distanca që ekziston mes nesh dhe tejkalimi i saj nuk është një punë e lehtë”, deklaroi nga Vjena për televizionin shtetëror Iranian Abbas Araqchi.

Zgjedhjet presidenciale në Iran u fituan nga Ebrahim Raisi, përfaqësues i linjës së ashpër, i cili zëvendëson në këtë detyrë pragmatistin Hassan Rouhani. Megjithatë, zgjedhja e tij nuk ka të ngjarë të minojë përpjekjet e Udhëheqësit Suprem Ajatollah Ali Khamenei, për ringjalljen e paktit bërthamor dhe për daljen nga sanksionet e forta financiare dhe ato mbi naftën.

Në Vjenë janë zhvilluar negociata që prej muajit prill me synimin për të sheshuar mosmarrëveshjet që do të rikthenin Shtetet e Bashkuara sërish tek pakti apo që do të detyronin Iranin t’i përmbahej sërish kushteve të tij. Uashingtoni hoqi dorë nga marrëveshja në vitin 2018, vendim që u shoqërua me vendosjen e sanksioneve ndaj Teheranit.

Të dielën, armiku kryesor i Republikës Islamike, Izraeli, dënoi zgjedhjen e zotit Raisi dhe tha se bëhej fjalë për një “regjim xhelatësh brutalë” me të cilin fuqitë botërore nuk duhet të negociojnë një marrëveshje të re bërthamore.

“Zgjedhja (e tij) është shansi i fundit për fuqitë botërore që të zgjohen para se të kthehen tek marrëveshja bërthamore e të kuptojnë se me kë po negociojnë”, tha Kryeministri izraelit Naftali Bennett në një deklaratë.

Ebrahim Raisi nuk u është përgjigjur kurrë akuzave rreth rolit të tij në atë që Shtetet e Bashkuara dhe grupet e të drejtave të njeriut i kanë quajtur ekzekutime jashtëgjyqësore të mijëra të burgosurve politikë në vitin 1988./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA