Një trillim i denjë për skenarin e një filmi; e tillë mund të quhet ngjarja që tronditi Greqinë një muaj më parë e mori vëmendjen e medieve botërore për nga brutaliteti i saj.
Një nënë e re 20-vjeçare që mbytet në sy të fëmijës nga grabitës të pamëshirshëm që kishin hyrë të vidhnin para në shtëpinë luksoze ku ajo jetonte me të shoqin pilot. Zbardhja e kësaj vrasjeje dhe vjedhjes së supozuar e mundoi për një muaj policinë greke, e cila i kishte tashmë dyshimet e saj edhe te bashkëshorti i Caroline Crouch.
Pasi mediat vendase shpërthyen në hamendësime, duke fajësuar për krimin shokues sa bandat gjeorgjiane, ashtu dhe ato shqiptare, 33-vjeçari Babis Anagnostopoulos u dorëzua përpara presionit të policisë pas 6 orësh marrje në pyetje dhe tregoi të vërtetën.
Ishte ai vetë që e mbyti të shoqen me jastëk, pasi siç thotë, ajo kishte kërcënuar ta linte e të largohej bashkë me fëmijën. Zgjidhja e kësaj çështjeje ishte kthyer në një sfidë të re për forcat e rendit, për shkak të mungesës së provave dhe faktit që në vendngjarje nuk gjenin asnjë gjurmë të grabitësve fantazëm. Në fund, një element i ri doli i dritë; i cili e detyroi pilotin të dorëzohej e të pranonte të vërtetën: një orë ‘smart’, që rrëzonte pretendimet e 33-vjeçarit se tre hajdutët e kishin lidhur, pasi tregonte në fakt që ai kishte lëvizur e kishte zbritur deri poshtë në bodrumin e shtëpisë.
Anagnostopoulos rrëfeu se ata ishin zënë shumë keq, dhe atij i ishin errësuar sytë nga zemërimi dhe e kishte mbytur me jastëk përpara foshnjes. Ndërkohë, viktima kishte kryer vitin e fundit me një kompani sigurimi,ku sipas kontratës, nëse Caroline do të humbte jetën, familjarët e mbetur në jetë,do të përfitonin 1.000.000 euro.
Top Channel