Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm dhe Samitin e Procesit të Evropës Juglindore (SEECP) që po mbahen në Antalia të Turqisë.
Ministrja Xhaçka vlerësoi rezultatet e arritura falë bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian ka qenë një nxitës shumë i rëndësishëm për përmirësimin e këtij bashkëpunimi.
“Shumë shpejt, besueshmëria e BE-së do të vihet në provë me vendimin e saj mbi Konferencën e parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Është një provë thelbësore jo vetëm për të dy vendet tona, por për rajonin në tërësi dhe për bashkëpunimin rajonal në Evropën Juglindore”, u shpreh ministrja gjatë fjalës së saj.
Ajo vlerësoi kontributin e kryesisë turke dhe të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal dhe sekretares së përgjithshme Majlinda Bregu për avancimin e axhendës rajonale.
Ministeriali u pasua po sot nga samiti i SEECP, pas të cilit kryesimi i Procesit të Evropës Juglindore kalon nga Turqia tek Greqia për vitin 2021 – 2022.
Top Channel