Ministria e Bujqësisë kërkon nga çdo bashki në vend që të marrë masa për ndalimin e tregtimit të shpendëve në rrugë dhe hapësira të tjera publike.

Në kuadër të situatës epidemiologjike në popullatën e shpendëve në vendin tonë, ministrja e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural Milva Ekonomi zhvilloi dje një takim virtual të koordinuar nga Ministria e Brendshme përmes Këshillit Konsultativ, me përfaqësues nga Bashkitë.

Ministrja Ekonomi kërkoi nga përfaqësuesit e bashkive, koordinimin e masave në nivel bashkie dhe njësie Administrative për parandalimin e influencës aviare sikurse përcaktohet edhe në planin e masave.

Kështu, detyrë e çdo bashkie është raportimi ditor i koordinuar mes këtij institucioni dhe kryepleqve ndërgjegjësimi i fermerëve për situatën.

Gjithashtu, në planin e masave kërkohet nga bashkitë kontroll i tregjeve të gjësë së gjallë, ndalimi i tregtimit të shpendëve në rrugë apo hapësira publike dhe kontroll të lëvizjes së shpendëve.

Prej datës 8 qershor kur ISUV konfirmoi rastet e para me gripin e shpendëve, Qendra kombëtare e Krizës e ngritur në ministrinë e Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural po ndjek me vëmendje situatën dhe po koordinon planin e zbatimit të masave në terren.

Nga ana tjetër, shërbimi kombëtar veterinar është në gadishmëri për t’i ardhur në ndihmë çdo fermeri për asgjësimin e shpendëve të prekur apo të dyshuar nga influenca aviare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA