Një ditë pas provimit të matematikës, qindra maturantë dolën në protestë përpara ministrisë së arsimit për të kërkuar rivlerësim të pikëve të tezës së matematikës që ishte për ta një bombë e vërtetë.
Në kohë pandemie dhe mësimi online, mos na kërkoni të bëhemi Einstein, u revoltuan të rinjtë.
“Vjet Turi, këtë vit Sindi. Ky është personazhi i rradhës, simbol i protestave të maturantëve. Ndryshe nga viti i shkuar për letërsinë, këtë vit për matematikën.”
“Sindi vendosi 48 kuti në arkë. A ka të drejtë Sindi?” Kjo është një nga dhjetëra pyetjet e matematikës që ishin të pakuptimta për gjimnazistët, të cilët kërkojnë ndihmën e ministres për zgjidhjen e testit si dhe me pankartat e tyre fajësojnë hartuesit e provimit si kopjacë.
Drejtësi kërkojnë maturantët në arsim. Pasi protestuan te ministria e arsimit ata marshuan drejt qendrës së shërbimeve arsimore.
Zemërimi dhe zhgënjimi i maturantëve mesa duket depërtoi edhe brenda institucionit QSHA ku një prej punonjësve u ndje keq dhe për këtë arsye mbërriti ambulanca me stafin mjekësor për të dhënë ndihmën e parë.
Edhe pse ministrja e arsimit Evis Kushi reagoi me një status në Facebook ku u shpreh se është mbledhur grupi i ekspertëve për të vlerësuar nivelin e vështirësisë së testit të matematikës dhe mund të ketë një rishikim të shpërndarjeve të pikëve sërish maturantët nuk janë të kënaqur dhe do të mblidhen prapë nesër te ministria e arsimit për të protestuar.
Top Channel