Kandidatja për deputete e PD, Edith Harxhi ka ngritur shqetësimin se nuk është pajisur me listën e anëtarësisë që kanë të drejtë vote për të marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të PD që do të mbahen ditën e nesërme.
Me anë të një njoftimi, Harxhi tha se edhe përfaqësuesit e kandidatëve nuk janë lejuar të kontrollojnë në sistem listën e anëtarësisë me të cilën do të votohet.
Teksa i bën thirrje të gjithë anëtarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar, Harxhi gjykon se mungesa e listës së anëtarësisë mund të ndikojë dhe të dëmtojë besueshmërinë dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor. Ajo i bën thirrje kryetarit të Komisionit Zgjedhor të PD që të marrë masat e nevojshme.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të njoftimit gjatë mbledhjes së djeshme, dt. 11 qershor 2021, të Komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjes për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, konstatoj me shqetësim se:
1.Përfaqësuesit e kandidatëve për kryetar, përfshirë dhe përfaqësuesin tim si audit i të dhënave kompjuterike, z.Irel Elezi, nuk janë lejuar të kontrollojnë në sistem listën e anëtarësisë me të cilën do votohet në dt.13 qershor 2021.
2.Deri tani, ora 16:00 dt.12 qershor 2021, unë, si një nga kandidatët për kryetar të PD, ende nuk jam pajisur me listën e anëtarësisë me të drejtë vote.
Gjykoj se sa më sipër mund të ndikojë dhe të dëmtojë besueshmërinë dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor. Prandaj i kërkoj kryetarit të Komisionit Zgjedhor të Partisë Demokratike, si dhe gjithë personave të tjerë përgjegjës, të marrin të gjitha masat për të mundësuar sa është vendosur dhe parashikuar nga Statuti i PD.
Gjithashtu i bëj thirrje të gjithë anëtarëve të Partisë, me të drejtë vote, që nesër me dt. 13 qershor 2021, të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të shprehen me vullnet të lirë për kandidatin që do t’i përfaqësojë si Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Top Channel