Periudha e pandemisë që ka mbajtur larg vizitorët vendas dhe të huaj nga Akropoli dhe Parthenoni, simboli i demokracisë në Greqinë e Lashtë, është shfrytëzuar nga autoritetet greke të turizmit, për të rinovuar vendin antik, mes polemikave se të ashtuquajturat përmirësime, nuk respektojnë estetikën e monumentit.
‘Besojmë se nuk është e mundur që Akropoli, me gjithë këtë simbolikë dhe të gjitha këto koncepte dhe vlera që përmban, të jetë i paarritshëm jo vetëm për personat me aftësi të kufizuara, por edhe shumë njerëz që mund të jenë mbipeshë ose të një moshe të caktuar të cilët kanë shprehur zhgënjimin e tyre sepse kanë përjetuar shumë vështirësi duke ngjitur shkallët e portës monumentale’- tha Lina Mendoni, ministrja greke e Kulturës.
Punimet, të parat pas viteve 60, kanë synuar në shtrimin e një shtrese çimento në pjesën kur vizitoret ngjiteshin apo zbrisnin, si dhe të një shkallë mermeri romake në anën perëndimore të Akropolit. Gjithashtu është vendosur edhe një ashensor i ri për njerëzit me aftësi të kufizuara.
‘Mendoj se të gjithë njerëzit duhet të kenë të drejtë ta shohin Akropolin dhe nuk mendoj aspak se e kanë shkatërruar’- tha një turist nga Ohio.
‘Kurse unë mendoj se mënyra se si ata e bënë atë nuk është estetike, nuk mendoj se u kujdesën shumë kur e shtruan’- tha një tjetër turist.
Akropoli, vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe vendi arkeologjik më i vizituar në Greqi ,vetëm në 2018, priti më shumë se tre milion vizitorë.
Polemikat për restaurimin e tij në këtë formë kanë vazhduar edhe nga partitë opozitare, edhe për faktin se ministria greke e Kulturës ka rënë dakord me dy shtëpi të mëdha mode për të organizuar një sfilatë në ambientet e kodrës antike të banuar për herë të parë rreth 6000 vjet me parë dhe me tempujt e mermerit të saj, të ndërtuar rreth shekullit të 5 para Krishtit.
Top Channel