Alket Hatia do të ekstradohet/ Vendimi i Gjykatës së Apelit për trafikantin e kokainës dhe heroinës

11/06/2021 20:20

Pas një “Odiseje” disa vjeçare mes gjykatave dhe betejës për drejtësi mes Shqipërisë dhe Italisë, Gjykata e Apelit vendosi ekstradimin drejt Italisë të Alket Hatisë, një 48-vjeçar i përfolur e i lakuar si një nga trafikantët më të mëdhenj të kokainës dhe heroinës, që kap vlera fitimi deri në 40 milionë euro.

Vendimi për të akuzuarin si baroni i drogës u shpall nga gjyqtari Valbon Çekrezi , i cili ka pranuar kërkesën e akuzës, që në vazhdimësi kishte pësuar humbje përballë Hatisë. Dështimi më i fundit i drejtësisë që e dërgoi në liri trafikantin, i përket vitit 2018 , kur një tjetër gjyqtar i tha jo Italisë me pretendimin se një pjesë të dënimit për çfarë e kërkon Interpol Roma, i dyshuari e kishte shlyer në burgjet shqiptare.

Pavarësisht verdiktit të italianëve që e shpallën fajtor pasi akuzohet se trafikoi në Milano vetëm përgjatë një viti, ngarkesat prej 350 kg heroinë e 190 kokainë, Alket Hatia u dënua për disa prej këtyre episodeve edhe në Shqipëri. Ndonëse nën akuzë për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafik , i dyshuari mori dhjetë vjet burgim në Shqipëri, teksa italianët në mungesë të tij, i prenë faturën e 20 viteve burgosje.

Jo pak herë, emri i Alket Hatisë ka hapur debate mes institucioneve që kulmuan me kërkesën për hetim ndaj gjyqtarëve, atëherë kur u refuzua ekstradimi i tij. Tanimë, çështja e baronit të drogës duket se do të rikthehet sërish në Gjykatën e Lartë, përderisa avokatja këmbëngul se Alket Hatia rrezikon të vuajë dy herë të njëjtin dënim. Sidoqoftë, gjykatat në Shqipëri e lanë pak kohë në qeli baronin qe iu besua kërkesa për të shkuar nën arrest shtëpiak, me justifikimin se kishte bashkëshorten sëmurë.

Gjykata e Posaçme sekuestroi ndërkohë, edhe pasuritë e baronit , të atij dhe familjarëve të tij.

Sipas Gjykatës se Posaçme mes pasurive që janë identifikuar nga SPAK janë toka dhe apartamente në Durrës si dhe kuotat e një shoqërie që i përkasin një të afërmi, ndonëse disa prej këtyre pasurive kanë qenë nën shenjestër edhe me ligjin e antimafias.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA