Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Oliver Varhelyi ka mbërritur në Tiranë për samitin rajonal me drejtuesit e Ballkanit Perëndimor.

Në një reagim në Twitter, Varhelyi ka treguar se për çfarë do të diskutojnë ditën e sotme.

“Përpara Samitit të Tiranës me drejtuesit e Ballkanit Perëndimor, u takova me Kryeministrin Edi Rama. Sot ne do të diskutojmë zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve, të paraqitur për rajonin nga Komisioni Europian, si dhe për Samitin e procesit të Berlinit me udhëheqësit e rajonit në 5 korrik”, shkroi Komisioneri.

Më parë, Varhelyi ka postuar dy foto me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luiggi Soreca, kundodheshin para Muzeut Historik Kombëtar. Varhelyi tha se kjo vizitë në Muze u bë për shkak se në të po bëhen punime që po mbështeten nga BE.

Ndërkohë, ka mbërritur në Tiranë edhe  kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjes dhe Hercegovinës dhe Presidenti i Malit të Zi, Milo Đukanović. Pritet të vijë edhe Kryeministri i Serbisë, Brnabić, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, Drejtor i Sekretariatit të CEFTA, Emir Djikic, Zëvendës Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të organizatës së Traktatit të Komunitetit të Transportit, Ljuba Siljanoska.

Agjenda e Samitit:

Në orën  09.30 – Takim Bilateral me Zoran Tegeltija, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës

Në orën 10.00 – Takim Bilateral me Olivér Várhelyi, Komisionerin Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë

Në orën 10.30 – Mbërritja e delegacioneve

Në orën 11.00 – Seanca Plenare

Në orën 12.30 – Foto Familjare

Në orën 12.30 – Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama me Komisionerin Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Olivér Várhelyi

Në orën 13.00 – Drekë Pune

Në orën 15.00 – Firmosje e marrëveshjeve

Në orën 15.15 – Ceremonia e inaugurimit të Qendrës së Informimit Kulturor.

Ky Samit vjen pas turit të vizitave të Ramës në Hungari dhe Bullgari, ku tema që iu vu theksi ishte anëtarësimi i Shqipërisë në BE.

Top Channel