Kryetarët e Qeverive dhe Shteteve të Ballkanit i kërkuan sot Bashkimit Europian njohjen e Çertifikatave digjitale të vaksinimit që ato lëshojnë për qytetarët e tyre, në mënyrë që dhe ata të lëvizin pa kufizime.
Kërkesa u bë gjatë takimit të radhës në Tiranë ku mori pjesë dhe komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Ky i fundit cili bëri të ditur se tanimë fondi prej afro 30 miliard eurosh që Brukseli ka caktuar për investime dhe financime projektesh në Ballkanin Perëndimor, është miratuar nga të gjitha institucionet europiane.
Ndërsa në fokus të takimit të Tiranës,edhe nën dritën e mbështetjen financiare të premtuar nga Bashkimi Europian, ishte shtyrja përpara e procesit të ashtuquajtur Schengen-i Ballkanik, drejtuesit e 6 vendeve të rajonit dolën me një qëndrim të përbashkët mbi një problem që prek qytetarët e rajonit e që ka të bëjë me kufizimet e lëvizjes në zonën e Bashkimit Europian për shkak të pandemisë. Siç bëri të ditur kryeministri shqiptar Edi Rama ata i janë drejtuar zyrtarisht Bashkimit Europian duke shfrytëzuar praninë në takim dhe të Komisionerit për Zgjerimin Oliver Harvelyi
“Sot të gjitha vendet i kanë paraqitur Komisionerit dhe nëpërmjet Komisionerit edhe Komisionit Europian dhe Bashkimit Europian kërkesën që karta e gjelbër digjitale e qytetarit të një vendi të rajonit tonë, në aspektin e sigurisë shëndetësore, të njihet në të gjithë hapësirën e Bashkimit Europian dhe edhe ne të lëvizim lirisht, siç lëvizin qytetarët e Bashkimit Europian”, deklaroi kryeministri shqiptar.
Nga ana e tij komisioneri Varhelyi nga ana e tij shpjegoi se Komisioni ju ka bërë shteteve anëtare një rekomandim, “pasi si kompetencë dhe përgjegjësi kjo është e shteteve anëtare”. Duke nisur që nga 1 korriku, vendet anëtare do të njohin certifikatat e lëshuara nga autoritetet e tyre për qytetarët e BE-së. “Ndërsa po arrijmë një nivel shumë të lartë të vaksinimit në BAshkimin europian, e për këtë dhe rreziqet janë më të ulëta sa u përket personave që vijnë dhe udhëtojnë nga vendet tuaja, sigurisht që ne do të shikojmë një lehtësim në udhëtim. Të gjithë e kemi vuajtur këtë gjë dhe sigurisht është e pakëndshme, nuk besoj se është e këndshme për askënd, por e gjitha kjo, në fakt varet nga situata e pandemisë Covid 19. Askush nuk duhet ta sh ikojë si çështje diplomatike apo politike, por kjo është vërtetë një çështje që ka të bëjë me shëndetin publik. Por unë besoj se me fillimin e sezonit veror në fillim të korrikut, kjo çështje do të jetë pjesë e historisë”, u shpreh komisioneri europian.
Vendet e Ballkanit kanë nisur prej kohësh një proces të lehtësimit të lëvizjes së mallrave, e personave mes vendeve të tyre si dhe përpjekjet për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, të cilin kryeministri shqiptar Edi Rama e përkufizoi si “një projekt strategjik me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike, sociale, por në fund fare edhe politike për të gjithë rajonin tonë dhe më vjen mirë që tanimë sinergjia e këtij vizioni me Bashkimin Europian është e plotë”.
Nga ana e tij Brukseli ka vendosur që të ofrojë një paketë afro 30 miliardë eurosh mbështetjeje për zhvillimin ekonomik të rajonit si një i tërë dhe komisioneri Varhelyi njoftoi se tanimë ky financim ka marrë aprovimin e të gjitha institucioneve europiane: “Ne kemi një marrëveshje tashmë në Bashkimin Europian për financimin e këtij plani. Kemi arritur javën e shkuar marrëveshjen me Këshillin dhe me Parlamentin Europian për programin IPA 3 siç e quajmë ne, pra fondet e para aderimit, i cili do të jetë edhe mekanizëm me anë të të cilit do të financohet ky plan. Pra, nga ana jonë jemi mëse të gatshëm të nisim me zbatimin edhe tani ne duam që partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor të fillojnë me zbatimin e këtij plani sa më shpejtë të jetë e mundur”.
Komisioneri Varhelyi nënvizoi megjithatë se “ky plan nuk ka për të funksionuar në rast se vetë rajoni nuk funksionon si një i tërë, në rast se ne nuk kemi një treg rajonal”.
Shuma e vënë në dispozicion nga Bashkimi Europian është gati sa një e treta e Prodhimit të Brendshëm bruto e rajonit./VOA/
Top Channel