KPA ka shkarkuar nga detyra ditën e sotme Anton Martinit

Ky shkarkim erdhi pas deklarimit  të pasaktë të pasurisë dhe mungesën e burimeve të  ligjshme për periudhën 2003-2016.

“Për kontrollin e pasurisë për shtëpinë 97 metra katrorë me vlere 90 mijë euro, ka kryer deklarim të pasaktë për këstin e parë. Ka mungesë për burimet e ligjshme për periudhën 2003-2016. Për kriteret jo profesionale , konkluzionet nuk i konsideroi të mjaftueshme për të konkluduar. Në vlerësimin tërësor të çështjes trupi gjykues vlerëson se subjekti ka cenuar besimin e publikut”, thanë anëtarët e KPA-së.

Anton Martini është emëruar më 10 nëntor të 2017-ës Prokuror i Shkodrës, ndërsa hetoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, për përfshirjen e mundshme të tij në blerjen e votave.

Martini ka pasur në dorë disa prej dosjeve më të bujshme të dekadës së fundit.

Në 2008-ën ai ka qenë prokuror në çështjen e ish-drejtorit të Policisë së Beratit, Ilirjan Dida, i cili akuzohej për dy vrasje. Prokuroria kërkoi 22 vite burg për ish-drejtorin.

Në qershor të 2010-ës, Anton Martini mori përsipër zhdukjen e vogëlushes Bleona Mata. Ende ku edhe sot, kjo çështje ka mbetur e pazbardhur.

Ai ka qenë prokuror edhe në çështjet e bujshme të bandës së Cërrikut dhe bandës së Durrësit. Më 10 tetor 2011, Martini kërkoi burgim të përjetshëm për Lul Berishën, kreun e bandës së Durrësit, dhe tre të akuzuar të tjerë, si dhe 234 vite burg për pjesëtarët e bandës.

Më 22 nëntor të 2011-ës, Anton Martini kërkoi tre burgime të përjetshme dhe 122 vite burg për anëtarët e bandës së Cërrikut.

Në mars të 2015-ës, Martini ishte një prej tre prokurorëve të çështjes së Arben Frrokut. Ai së bashku me kolegët e tij kërkoi burgim të përjetshëm për Frrokun, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

Anton Martini mori përsipër edhe dosjen e Lazaratit dhe në dhjetor të 2015-ës kërkoi 110 vite burg për Gate Mahmuatajn dhe bandën e tij.

Në korrik të 2016-ës, u raportua se trafikanti i drogës Jurgen Molla kishte paguar 150 mijë euro për të transferuar Anton Martinin nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Shkodrës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA