Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka reaguar mbi vendimin e Parlamentit për të shkarkuar presidentin Ilir Meta me 104 vota pro.
Tedi Blushi shkruan se nuk sheh asnjë surprizë në procesin e ditës së sotme duke thënë “Bravo ju qoftë që nuk dolët pa gjë nga kjo shëmti”. Blushi thekson se Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë.
Ndër të tjera, i bën ftesë gazetarëve që të merren me gjëra serioze si zbardhja, hetimi i plotë dhe dënimi i krimeve zgjedhore.
Blushi: Zero shqetësim nga vendimi antikushtetues dhe qesharak i landfillit parlamentar monist, që do të hyjë si rast studimor në historinë botërore të parlamentarizmit, se si një Kuvend pa opozitë, që edhe pse është shkarkuar me votë nga populli, voton për shkarkimin e një institucioni tjetër!
Asnjë surprizë nga tregtari i kufijve të Shqipërisë dhe të Kosovës, partnerët dhe vasalët e oligarkëve, mafia e inceneratorëve, grabitësit e votave, parave dhe të pronave të shqiptarëve, përfshi edhe torollakët e dobishëm, që nuk bënë gjë tjetër sot, veçse plotësuan edhe hapin e fundit të krimit të rëndë zgjedhor të 25 prillit.
Të paktën veç pensionit të përjetshëm, i siguruat edhe për këtë vit një palë pushime qyl!
Bravo ju qoftë, që nuk dolët pa gjë nga kjo shëmti!
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta është më i motivuar se kurrë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë nga çdo përpjekje e tradhëtarëve, bashkëpunëtorëve dhe tutorëve të tyre, që punojnë prej vitesh kundër vendit tonë, shqiptarëve dhe interesit kombëtar.
Një ftesë e sinqertë edhe për kolegët gazetarë: Merruni me gjëra serioze, zbardhjen, hetimin e plotë dhe dënimin e krimeve zgjedhore!
Në votim kanë marrë pjesë 114 deputetë, nga të cilët 105 pesë deputetë votuan pro, 7 deputetë kundër dhe 3 abstenim. Pak më herët me 104 vota pro, 7 kundër, 2 abstenim dhe 1 fletë votimi që ishte e pavlefshme, Parlamenti miratoi raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor.
Komisioni Hetimor i gjeti shkelje kushtetute presidentit Meta, ndaj i propozoi parlamentit shkarkimin.
Nga ky hetim komisioni hetimor theksoi se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës duke shkelur nenin 88 të kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fusharë elektorale. Pjesë e provave të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e kreut të shtetit në fushatë elektorale.
Komisioni mbërriti edhe në përfundimin se presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e institucioneve të pavarura.
Në raportin final, Komisioni Hetimor thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve.
Përmes këtij raporti me 97 faqe, të komisionit hetimor, shumica socialiste iu drejtuar seancës plenare ditën e sotme për ta bërë fakt shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga parlamenti. Ndërkaq Meta ndonëse është thirrur nuk ka pranuar të shkojë në asnjë mbledhje të komisionit.
Top Channel