Do të flasim për largimet e padrejta nga administrata dhe gjyqet që këta të fundit fitojnë me shtetin. Do të mundohemi të hedhim dritë mbi faturën miliona euro që paguhet nga buxheti i shtetit për të larguarit.
Le të shohim fillimisht se si funksionon administrata publike. Ajo numëron mbi 110 mijë punonjës. Një pjesë e të cilëve gëzojnë statusin e nëpunësit civil.
Për të rregulluar marrëdhëniet e tyre të punës në vitin 2013 mes shumë debatesh u hartua dhe miratua ligji 152. Ligji nënkupton se punonjësit civil do të jenë të mbrojtur. Por në gjithë këto vite është abuzuar me një pikë të këtij ligji. Bëhet fjalë për ristrukturimin. Arsyeja më absurde që japin institucionet kur largojnë njerëzit nga puna thonë për çështje ristrukturimi. Por në vend që të kemi mbyllje të pozicioneve të punës kemi shtim të tyre, por jo për punonjësit aktual.
Në ligjin 152 për nëpunësin civil, parashikohet në nenin 66 se lirimi i një nëpunësi civil bëhet mbi këto baza:
a) Për shkak të refuzimit të pajustifikuar të nënpunësit për të pranuar trasferimin e përhershëm.
b) Si rezultat i mbylljes apo ristrukturimit të institucionit
c) Kur nëpunësi deklarohet i paaftë për punë nga komisioni kompetentë mjekësor
d) Pas dy vlersimeve jokënaqshëm të rezultateve në punë etj.
Duke shfrytëzuar hapsirën ligjore, gjithë drejtuesit e rinjë vijnë me “armatën” e tyre, në krye të një institucioni. Kështu me qindra mijra shqiptarë kanë rënë preh e “tekave” të njerëzve që vijnë në pushtet. Vetëm për vitin 2019 janë liruar nga puna 896 nënpunës civil.
Sipas të dhënave zyrtare nga Departamenti Administratës Publike, nga këta 428 kanë si arsye ristrukturimin e vendit të punës. Taktikë kjo e njohur tashmë për largimet e padrejtja nga puna. Kjo vërtetohet edhe me vendimet e shumta që gjykatat japin në favor të personave të larguar.
Sipas të dhënave të DAP rezulton se ka një rritje të ndjeshme të largimeve nga puna nga viti 2018 në 2019. Vit i cili përkon edhe me rotacionin politik të pushtetit vendor.
Top Channel