Pamjet nga kamerat e sigurisë, që ka siguruar Top Channel, kanë zbuluar që Dhurata Saliaj ishte bashkëpunëtore në vrasjen e ish-bashkëshortit të saj, Kudret Saliaj, me të cilin ishte në proces divorci.
Ky i fundit u qëllua nga babai i Dhuratës, Mexhit Picari. I plagosur mbeti edhe ish-prokurori Adriatik Cama, që ishte ulur në tavolinë me viktimën.
Picari zgjat dorën dhe merr pistoletën nga çanta e së bijës. Më pas, ata kanë shkuar dhe janë ulur në lokalin ku ishte ulur viktima dhe avokati i çështjes Cama. Babë e bijë, e kanë vëzhguar për rreth 20 minuta viktimën. Më pas, autori Mexhit Picari është çuar nga tavolina dhe ka shkuar ka qëlluar ish dhëndrin e tij. Pas krimit, autori dhe vajza e tij Dhurata, kanë dal nga lokali. Kjo e fundit ka hedhur në kokë një kapuç të zi dhe secili janë larguar me nga një taksi të veçantë.
Grupi hetimor, ka marrë në pyetje edhe një taksist, me inicialet A.I i cili ka deklaruar se një vajzë e re rreth moshës 30 apo 40 vjeç, i kishte ngritur dorën pranë zonës së Vasil Shantos dhe i kishte kërkuar që ta çonte deri në Vorë. Sipas tij, e reja kishte folur në telefon me babain e saj duke i thënë që të bëhej gati dhe të merrte rrobat e punës.
Në pyetje është marrë edhe djali i ish-çiftit Saliaj, 16-vjeçari me inicialet E.S., që ka deklaruar përpara grupit hetimor se kishte shkuar pranë gjykatës pasi kishte dalë nga shkolla. Sipas tij, babai e kishte marrë në telefon që të mos afrohej, pasi ka pasur friken e ndonjë konflikti të mundshëm pasi në lokal ishte edhe pala tjetër. I mitur ka shtuar se nuk ka pasur marrëdhënie të mira me nënën e tij, pasi e dhunonte atë, si dhe vëllain dhe motrën e tij. 16-vjeçari gjithashtu ka deklaruar se marrëdhënie të mira nuk ka pasur as me gjyshin dhe dajën e tij. Këtë të fundit e kishte denoncuar në polici pasi ai e kishte kërcënuar.
Vrasja e Kudret Saliajt, ndodhi vetëm pak minuta përpara seancës gjyqësore që ai kishte me ish bashkëshorten e tij.
Top Channel