Basha takon demokratët e qarkut të Shkodrës: Bashkë do të largojmë regjimin e pakicës Rama-Doshi

07/06/2021 13:14

Kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar takim me demokratët e qarkut të Shkodrës, të cilëve i ka theksuar se nuk duhet të dorëzohen për të larguar atë që e cilëson si “regjim i pakicës Rama-Doshi”.

Basha tha se PD është e vetmja shpresë për të nxjerrë shqiptarët nga qorrsokaku i 25 prillit. Ndër të tjera shtoi se nga kjo garë ne do të dalin më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur për të luftuar dhe sjellë ndryshimin që duan dhe meritojnë shqiptarët.

Basha: Zoti drejtues politik, zonja kryetare e bashkisë, kandidat për deputet, drejtues të Partisë Demokratike të degës Shkodër, themelues, qëndrestarë, drejtues të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, të Lidhjes Demokratike të Gruas, falemindeit nga zemra për pjesëmarrjen tuaj dhe mikrpitjen sot në Shkodër.

Vij sot me kënqësinë e përhershme që ndodhem në mesin tuaj. Kënaqësi e cila vjen jo vetëm për shkak të dashamirësisë, besimit dhe miqësisë që keni demonstruar jo me fjalë, por me vepra ndaj meje dhe lideshipit tim gjatë këtyre viteve, por po kështu sepse jeni dhe mbeteni njerëzit që i keni prirë sakrificave të Partisë Demokratike, i keni prirë betejave tona, i keni prirë kauzave tona dhe e keni bërë këtë me moralin më të lartë.

E keni bërë këtë me parimet më të shenjta, e keni paguar këtë me çmimin më të shtrenjtë pavarësisht se këtu në Shkodër ka zanafillën jo vetëm masakra zgjedhore, por dhe mekanizmi më i shëmtuar i aleancës dhe regjimit të Edi Ramës dhe Tom Doshit.

Fatkeqësisht 25 prilli jo vetëm nuk shënoi momentin e shumëpritur të ndryshimit për Shkodrën dhe për Shqipërinë, por shënoi një arrest kardiak për demokracinë duke asgjësuar përkohësisht të vetmin mekanizëm që një shoqëri e civilizuar dhe pluraliste ka: vullnetin e shumicës.

Vëllezër dhe motra, ndodhem sot para jush në radhë të parë për t’ju shprehur mirënjohjen më të thellë gjithsecilit prej jush dhe të gjithë demokratëve të Shkodrës për betejën e jashtëzakonshme dhe sakrificat tuaja dhe për t’ju thënë se në këtë betejë keni marrë me vete jo thjesht dhe vetëm zotimin dhe misionin tuaj individual dhe të familjes tonë politike, por edhe shpresën dhe bekimin e çdo shkodraneje dhe e çdo shkodrani që kërkonte, priste, dëshironte dhe sot akoma më shumë është i përgjëruar për ndryshimin.

Vij këtu pas një turi nga jugu në veri, në një periudhë kohore që tashmë po mbush dy javë dhe ku kam parë me sytë e mi jo vetëm tek demokratët, por tek të gjithë shqiptarët se si tronditjes, zhgënjimit, mosbesimit, hidhërimit për masakrën zgjedhore të 25 prillit i ka lënë vend zemërata, por i ka lënë vend po kështu vendosmëria për mos ta lënë Shqipërinë, shqiptarët dhe demokracinë në udhëkryqin e rrezikshëm që ka ekspozuar për herë të tretë brenda 30 viteve e keqja dhe shtëpia e të keqes.

Jo më kot kam hequr një paralele midis 31 marsit të 1991-shit dhe 25 prillit 2021-shit. E ku tjetër më mirë se në Shkodër mund të shpjegohet kjo paralele jo thjesht në kuptimin mendor, racional e të arsyetimit, por në kuptimin shpirtëror të fjalës.

Kush prej atyre që ishin në moshë për të kujtuar, të rinj, gjimnazistë, studentë apo prindër nuk e mban mend pritshmërinë e datës 31. Kush nuk e mban mend zemrat e ngritura peshë nga emocioni dhe përligja e pritshmërisë se dita e fundit e komunizmit kishte ardhur, se dita e parë e demokracisë po çelte.

E ku më mirë se në Shkodër mund të shpjegohet zhgënjimi, ndjenja e pabesueshmërisë, e tronditjes së thellë që solli 31 marsi, zgjedhjet pa zgjidhje të 31 marsit e që çuan më pas në një tjetër shok dhe tronditje pas revoltës së gjimnazistëve të “Jordan Misjes” dhe shkodranëve me 2 prill që përfundoi me masakrën e 2 prillit.

E pra miqtë e mi këto nuk janë thjesht kujtime apo reminishenca historike, këto janë pjesë e asaj që ne jemi, e asaj që ju jeni. Çdo demokrate e çdo demokrat shkodran, çdo qytetare e qytetar i Shkodrës e përmes jush çdo demokrat shqiptar e njeh fare mirë mekanizmin që i mbivendoset vullnetit të shumicës, e njeh fare mirë se si kjo jo vetëm zapton, nënshtron, shkatërron përkohësisht besimin tek demokracia, por e di po kështu se pas kësaj vjen ngritja, se zemëratës për një padrejtësi si 25 prilli dalëngadalë po i zë vendin vendosmëria për të mos e lënë Shqipërinë, për të mos e lënë Shkodrën peng të Tom Doshit, Ilir Beqës, Edi Ramës dhe bandës së tyre.

Sepse në të vërtetë 25 prilli është ditë e një fatkeqësie kombëtare, është dita e vdekjes klinike të demokracisë; Për ta thënë thjeshtë, shkoqur dhe qartë për këdo, demokraci mbi së gjitha dhe para së gjithash do të thotë vullnet i shumicës dhe me 25 prill shumicës i është mbivendosur një pakicë e pakicës.  25 prilli nuk ka lidhje me demokracinë, nuk ka lidhje me vullnetin e shkodranëve, nuk ka lidhje me vullnetin e shqiptarëve. 25 prilli është gjëma dhe krimi final i regjimit të Edi Ramës dhe Tom Doshit.

Sigurisht edhe unë ndaj njësoj si ju preokupimin dhe synimin që kjo garë e brendshme statutore jo vetëm t’i shërbejë dhe t’i shtojë vlerat tona,  bashkimin tonë dhe fuqinë tonë para qytetarëve dhe  as t’i fryjë frymës së përçarjes dhe as të pakësojë aftësinë tonë për t’u përballur me peshën e dyfishtë që na rëndon në supe pas 25 prillit.

Mesazhi i parë është që vullneti shqiptar i tjetërsuar me 25 prill, masakra zgjedhore e 25 prillit nuk njihet e nuk do të njihet kurrë nga unë, nga pozitat e kryetarit të Partisë Demokratike, nuk e njoh dhe nuk shkel mbi vullnetin e tjetërsuar të shqiptarëve. Gjithçka tjetër na bën pjesëtarë në këtë masaker zgjedhore, na kompromenton në gjënë më të çmuar me të cilën jemi futur në këtë betejë, në vlerat dhe parimet më të cilat jemi themeluar, të cilat i kemi trashëguar nga levizja e dhjetorit si artia trashegimtare e rrëzimit të komunizmit, për të cilin kemi paguar çmimin e lartë të katër martirëve te dy prillit e qindra të tjereve anembanë Shqipërisë. Sakrificën e gjithësecilit prej jush në këtë betejë nga mengjesi e deri në orët e vona të natës, sy për sy, e dhëmb për dhëmb, e fyt per fyt me bandat e Tom Doshit me shokë.

Qëndrimi i dytë është një pergjigje ndaj të vetmit akt që mund të pritej nga një diabolik që pasi ka vjedhur dhe ka tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve permes masakrës më të madhe, më të thellë dhe më voluminoze zgjedhore në 30 vite pluralizëm, nga njëra anë dhe me njeren dorë godet demokratët, godet kedo që ka marrë pjesë në fushatën tonë, i heq nga puna, i vendos gjoba, i kercenon, i transferon, i bën presion kompanive private kontraktore të shtetit për t’i larguar dhe nga ana tjetër gjoja shtrinë dorën e bashkëpunimit. Ajo dorë është e mbushur me helm jo thjesht për mua, jo thjesht për demokratët, jo vetëm për Partinë Demokratike, por për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kapja e asaj dore do të thotë asgjësim i kauzës dhe demokracisë, do të thotë të bëhesh palë me masakren zgjedhore, do të thotë të pranosh vjedhjen dhe tjetërsimin e zgjedhjeve, do të thotë të bëhesh njish me të keqen, ndaj Jo-ja ime është e prerë dhe finale.

Sepse pavarësisht gjithçkaje, pavarësisht prej masakres zgjedhore që çerdhen e ngriti në Shkodër, në çerdhet e krimineleve të Tom Doshit me shokë, në çerdhet e të shiturve, në çerdhet e zyrtarëve të korruptuar si Benet Beci me shokë që e çuan votën nga 100 në 300 euro, nga Puka në Shkodër e kudo tjetër. Pavarësisht të gjitha këtyre dhe qindra e qindra faktorëve të tjerë që gjithsecili nga jush i ka ndjerë në lëkurë e mund të dalë e t’i përmend nga kjo foltore më mirë se unë, fakti është që shqiptarët nuk kanë shpresë tjetër dhe nuk kanë forcë tjetër për t’i nxjerrë nga qorrsokaku i 25 prillit përveç Partisë Demokratike.

Ne jemi shpresa e vetme për demokracinë, ne jemi shpresa e vetme për Shqipërinë. Në 25 prill ne dolëm në betejë njësoj si në marsin e 91 pa asnjë pushtet real. Me pushtetin simbolik të Shkodrës të rrethuar tash 8 vite nga pushteti shtazarak dhe diabolik i Edi Ramës në çdo kuptim por me pushtetin më të fortë që mund të ketë një krijesë njerëzore, me pushtetin më të madh që mund t’i falë Zoti që është pushteti e zemrave të pastar, i qëllimeve të qarta dhe të mira për bashkëqytetarët, i planeve dhe i zotimeve në funskion të tyre.

Bashkimi dhe vlerat tona janë arsyet kryesore se përkundër masakrës në Shkodër dhe në mbarë Shqipërinë, Partia Demokratike nuk doli më e tkurrur, më e vogël apo kokë poshtë. Por doli më e madhe, më e vendosur dhe me kokën lart. Dhe me kokën lart ju gjej sot dhe kështu dua t’ju shohë në vazhdim e deri në fundin e pashmagshëm të kësaj beteje që nuk mund të jetë dorëzimi i Shkodrës, nuk mund të jetë rënia e Shkodrës, nuk mund të jetë rënia e Shqipërisë, nuk mund të jetë fundi i saj, nuk mund të jetë fundi i demokracisë, por do të jetë rënia e regjimit, kthimi i legjitimitetit dhe i demokracisë për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA