Holanda dritë jeshile Shqipërisë/ Miraton konkluzionet e Komisionit Europian për hapjen e negociatave

05/06/2021 01:59

Holanda i jep dritën jeshile Shqipërisë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian. Në një deklaratë thuhet se qeveria holandeze vlerëson që Shqipëria së fundmi ka bërë përparim me reformat për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe disa fusha të tjera. Të dhënat e deritanishme tregojnë progres, megjithëse numri i dënimeve të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet shqetësuese.

Qeveria holandeze miraton konkluzionin e Komisionit se Shqipëria tashmë ka bërë përparim në kushtet që i ishin vënë. Po ashtu kërkohet forcimi i institucioneve, politikanët dhe qytetarët duhet të mësohen me pavarësinë e gjyqësorit, ndërsa thuhet se duhet të përfundojë Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të plotësohen të gjitha vendet e lira në fushën e drejtësisë.

Në deklaratën që ‘Top Channel’ disponon thuhet se progres është bërë, por lufta e vazhdueshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të kërkojë vëmendje të vazhdueshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar, përfshirë partnerë të tillë si Holanda. Në deklaratë theksohet se qeveria holandeze do të vazhdojë të sigurojë që sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut të mbeten thelbësore në procesin e pranimit të Shqipërisë në BE.

Ky qëndrim i Holandës vjen disa ditë para se të vendoset për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në vendimmarrjet e më hershme Holanda ka bllokuar hapjen e negociatave me vendin tonë.

Ndërkohë pengesa e re për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare është Bullgaria, e cila bllokon Maqedoninë e Veriut, dhe automatikisht edhe Shqipërinë, dhe Brukseli është duke negociuar me Sofjen me qëllim që mos pengohet hapja e negociatave për të dy vendeve, ndërsa në tryezë është edhe diskutimi i ndarjes së Tiranës nga Shkupi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA