Vret dhëndrin, plagos avokatin/ Vrasja pak minuta para gjyqit se kush do merrte fëmijët pas divorcit

04/06/2021 19:32

Kudret Saliaj, babai i 3 fëmijëve kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje nga ish vjehrri, me këmbënguljen se i rrezikohej jeta prej tij, për shkak të divorcit nga vajza e tij, Dhurata Saliaj.

Por, edhe ish vjehrri që e vra atë kishte kërkuar urdhër me të njëjtin pretendim. Sherri mes burrave nisi për shkak të gruas, me të cilën po ndahej Kudret Saliaj, e cila mbas shumë vitesh martesë u denoncua prej tij dhe fëmijëve dhe u dënua për dhunë në familje.

Seanca e radhës duhej të mbahej në orën 12 të së premtes dhe 30 minuta përpara se kjo gjë të ndodhte, Saliaj u vra nga ish vjehrri Mexhit Picari, gjatë kohës që ai po pinte kafe me të birin, një punonjëse sociale dhe avokatin Adriatik Cama, i cili mbeti po ashtu i lënduar.

Ndaj Saliaj u qëllua me 8 plumba, pesë prej të cilëve i morën jetën, ndërsa pritej që gjykata të dëgjonte raportin e psikologes që do të deklaronte rezultatin se me cilin nga prindërit duhet të qëndronin tre fëmijët e vegjël. Autori, një ish polic burgjesh, mbasi u largua nga vendngjarja u kap disa minuta më vonë nga forcat e komisariatit numër 2.

Anila Hoxha

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA