Vajza e Mexhit Picarit, Dhurata Saliaj, 33-vjeç është arrestuar nga Policia e Tiranës, si bashkëpunëtore e autorit të krimit që tronditi sot kryeqytetin.
Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme në afërsi të Gjykatës së Apelit. Picari qëlloi për vdekje ish-dhëndrin e tij, Kudret Saliaj, si dhe plagosi lehtë edhe prokurorin Adriatik Cama.
“Shtetasi M. P., 53 vjeç, i arrestuar po sot nga Policia dyshohet se në bashkëpunim me shtetasen DH. S, ( vajzën e tij) janë autorë e ngjarjes se ndodhur, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi K. S. (ish-bashkëshorti i shtetases Dh.S) dhe si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur dhe shtetasi A. C., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publikë” e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë, ”Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare” e kryer në bashkëpunim, ”Vrasja në rrethana cilësuese” e kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.”, njofton ndër të tjera policia.
Ngjarja
Vajza e autorit dhe viktima ishin në proces divorci dhe pikërisht sot çifti kishte seancën e pestë të divorcit, ku do të vendosej se kush do t’i mbante 3 fëmijët, ndërsa paraprakisht rrinin me viktimën.
Një vit më parë viktima sipas burimeve te gazetares Anila Hoxha kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje nga ish-vjehrri. Gjykata nuk e kishte pranuar kërkesën e tij për një urdhër mbrojtje, ndërsa ndihej ende i kërcënuar nga ish-vjehrri.
Djali i mitur i Kudret Saliajt, i cili mbeti i vdekur mesditën e sotme pranë Gjykatës së Tiranës ka qenë dëshmitari i ngjarjes. Ai ka përjetuar momente tmerri, kur gjyshi i tij i vrau para syve babanë. Sipas dëshmitarëve, djali bërtiste me të madhe “baba baba”, ndërsa është trembur dhe nga lokali ku ishte i ulur bashkë me të atij, avokatin Adriatik Cama dhe punonjësen sociale, është larguar e ka hyrë në Gjykatë.
Bashkë me viktimën dhe avokatin, me ta kanë qenë një punonjëse sociale dhe djali i madh i çiftit pasi ditën e sotme gjykata do të pyeste djalin më të madh të çiftit se me kë do të qëndronte.
Gazetarja Anila Hoxha thotë se viktima është qëlluar nga 8 plumba, ku 5 e kanë kapur atë. Ndërkohë në një njoftim paraprak të policisë thuhet se ish- prokurori, është jashtë rrezikut për jetën dhe ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po merr edhe ndihmën nga mjekët.
Top Channel