Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është pjesë e delegacionit që kanë shoqëruar kryeministrin Edi Rama, në vizitën dy ditore në Turqi.
Në një prononcim për Top Channel, nga Ankaraja, Balluku ka zbuluar detaje nga projektet e reja shqiptaro-turke.
Në takimin e delegacioneve është diskutuar për sistemin e kontrollit të territorit të vendit me dronë super-inteligjentë, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet, rendin publik, po ashtu për programin e mandatit të tretë për infrastrukturën kombëtare.
Balluku tha se kompania turke po planifikon që të hapë një fabrikë në Shqipëri për prodhimin e disa medikamenteve dhe vaksinave. Si pjesë e projekteve të marrëveshjes Shqipëri-Turqi, pritet të bëhet edhe instalimi i kamerave CCTV në të gjithë territorin e vendit si dhe të bëhet kontrolli me dronë.
“Kjo është një vizitë në vazhdim të marrëveshjes qeveritare që kemi nënshkruar në janar me qeverinë turke dhe për të gjitha projektet që kanë nisur prej asaj kohe në disa fusha të ndryshme si shëndetësia. Pjesë e kësaj pakete ka qenë dhe spitali rajonal i Fierit dhe vaksinat që kanë ardhur gjatë gjithë kohës dhe janë në përdorim për qytetarët shqiptarë.
Lajmi i mirë është se gjatë takimit të sotëm me pronarin e Sinovac ka pasur zhvillim tjetër duke qenë se kjo kompani parashikon të hapë një fabrikë në Shqipëri për prodhimin e disa medikamenteve dhe vaksinave. Ndërkohë kemi vazhduar takimet me homologët të nisura në janar për të gjitha çështjet e bashkëpunimit mes dy palëve. E rëndësishme është që një pjesë e projekteve kanë nisur dhe një pjesë e projekteve të parashikuara do të nisë muajt me vijim.
Sot gjatë takimeve kemi pasur shkëmbim të mendimeve dhe projekteve me disa kompani ekselence të Turqisë. Po i referohem disa projekteve që kanë të bëjnë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, siç është kontrolli i territorit me anë të droneve apo CCTV, pra kamerave të vendosura kudo, por Turqia përmes një nga kompanive shtetërore më ekselente ofron shërbime në shumë vende të tjera e ka mjaft të avancuar këtë shërbim. Një nga këto projekte parashikohet të jetë kontrolli i territorit dhe i trafikut të jetë me anë të droneve të ajrit dhe kamerave që do të vendosen në të gjithë rrjetin rrugor shqiptar.
Kemi diskutuar edhe për projekte të tjera, pa lënë mënjanë projektet kulturore, sic janë ajo e restaurimit të zonës së Beratit dhe Gjirokastrës, projekte turistike në bregdetin e Adriatikut dhe Jonit dhe projekte që janë të lidhur me binjakëzimin e universiteteve. Të gjitha këto angazhime i kemi marrë gjatë marrëveshjes 2 palëshe në janar, disa kanë nisur dhe të tjera do të nisin së shpejti”, tha Balluku.
Më parë, Rama tha se gjatë takimit të tij në Ankara me sipërmarrësit e ekselencës turke kanë diskutuar për ndërtimin e 7 lloje vaksinash në Shqipëri dhe Teknopark Albania, një qendër e teknologjisë së lartë në periferi të kryeqytetit, për kompanitë HighTech.
Top Channel