Me mina të montuara, gati për përdorim në makinë/ Pamjet e operacionit policor, policia ‘shtrin’ në tokë 3 të dyshuarit

03/06/2021 09:15

3 shtetas janë arrestuar në Durrës, pasi dyshohet se kishin përgatitur mina me telekomandim, gati për t’i shitur.

Në operacionin policor, që u zhvillua në lagjen numër 9 janë arrestuar: 47-vjeçari Ilir Alliu, 37-vjeçari Edmond Bardhi, dhe 31-vjeçari Bledar Çakalli.

Në mjetin tip “Volvo” të Ilir Alliut, u gjetën tri mina të montuara dhe të lidhura me celular, që dyshohet se do t’i shisnin kundrejt një vlere 2500-3000 euro secila.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Sektorin e Trafiqeve të Paligjshme dhe te Krimeve Kundër Personit në DVP Durrës në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomande po tentonin të shisnin disa mina me telekomandë, kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me patrullat e përgjithshme kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Muzeu”.

Në kuadër të këtij operacioni, në vendin e quajtur “Muzeu”, në lagjen nr. 9 në Durrës, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetaseve:

– I. A., 47 vjeç, B. Ç., 31 vjeç dhe E. B ., 37 vjeç, të tre lindur në Dibër dhe banues në Sukth, Durrës.
Këta shtetas u kapën duke udhëtuar me një automjet tip “Volvo” me drejtues shtetasin I. A. dhe pasagjerë shtetasit B. Ç. dhe E. B. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tri mina të montuara dhe të lidhura me telefon.
Nga hetimet paraprake rezultoi se këta shtetas do të shisnin disa mina me telekomandë në qytetin e Durrësit, kundrejt shumës 2500-3000 euro copa.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA