Në një pallat në Selitë të Vjetër në Tiranë, policia gjeti një laborator për rritjen e hashashit e thënë ndryshe një “shtëpi bari”.
Në pranga u vunë katër persona, Ervin Shametaj, Gerhard Duro, Skënder Ismaili dhe një shtetas i mitur 17-vjeçar, që në bashkëpunim me njëri tjetrin rrisnin hashash.
Kanabisi rritej me llamba dhe prozhektorë. Në këtë shtëpi bari, policia gjeti edhe solucione për rritjen e bimëve. Sipas informacioneve të Top Channel, një ditë më parë policia ka ndaluar një automjet tip ‘Benz’, pranë Kodrës së Diellit, me drejtues Ervin Shametaj, në makinën e të cilit u gjetën 72 bimë hashash. Pas shoqërimit të tij në policia ai ka treguar që prej disa muajsh kishte marrë një apartament me qira të cilin me 3 personat e tjerë e kishte kthyer në laborator për kultivimin e kanabisit.
Brenda në apartament, policia konstatoi se dy dhoma ishin përshtatur me llamba dhe pajisje të tjera për rritjen e hashashit. Gjithashtu u gjetën letra katërmaje, tubë inoksi, aspirator, pompë spërkatjeje si dhe 8 qarqe elektrike. Por ky fenomen i shtëpive të barit po përhapet me shpejtësi në vendin tonë. Katër ditë më parë, policia arrestoi 16 persona në Kruje si dhe shpalli 24 të tjerë në kërkim, pasi në bashkëpunim me njëri tjetrin kishin krijuar një laborator për rritje hashashi.
Raste të tjera të ngjashme policia ka konstatuar në Lezhë, Lushnjë dhe Fier, ku personat e vënë në pranga kishin përshtatur banesat e tyre duke i kthyer në laboratorë droge. Por ky fenomen, kryesisht origjinën e tij e ka nga Britania e Madhe, ku shumë të rinj shqiptar janë përfshirë në këtë formë biznesi.
Sipas të dhënave të Top Channel, 156 shqiptarë u arrestuan në Angli për përfshirje në laboratore të drogës. Kryesisht dënimet ndaj tyre shkojnë deri në dy vite burg dhe më pas i sjellin në vendin tonë. Por një pjesë e tyre kanë filluar të njëjtin biznes: rritje hashashi në banesa.
Top Channel