Top Story/Fiskalizimi/ Biznesi ankohet për kosto shtesë.Tatimet: Për biznesin e vogël platforma falas

01/06/2021 23:45

Shqipëria është vendi i vetëm në rajon dhe Europë që po implementon një proces të sofistikuar për sistemin e monitorimit dhe të qarkullimit të aktivitetit të bizneseve i njohur në zhargonin e përditshëm si procesi i fiskalizimit. Vetëm Italia është nën një projekt pilot të tillë.

Në praktikë, ky proces parashikon eliminimin e kasave fiskale dhe zëvendësimin e tyre me zgjidhje softëare që do të mundësojnë raportimin në kohë reale të çdo shitjeje nga ana e biznesit. Qeveria pretendon që përmes teknologjisë më të avancuar të ulë informalitetin që aktualisht është në nivelet e gati 50% dhe të grumbullojë më shumë të ardhura në arkën e shtetit, duke marrë parasysh që ekonomia ka pësuar dy goditje të rënda; krizën që shkaktoi tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia globale që ende nuk ka përfunduar.

Një nga problematikat më të mëdha në lidhje me sistemin e ri janë kostot shtesë të biznesit. Financat gjithashtu nuk kanë kryer një studim fizibiliteti që të masë realisht benefitet e sistemit. “Nuk jemi duke folur për kosto të ulta siç ishin kasat fiskale, gjithsesi dhe ato u konsideruan kosto të larta. Do presim, ndoshta do të ndryshojë diçka gjatë muajve derisa të vijë momenti I implementimit, por paraprakisht ne na është bërë e qartë që kostoja e procesit është disa mijëra euro.”u shpreh Alban Zusi, Qëndra Shqiptare e Eksporteve.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e mohon një kosto shtesë për biznesin me implementimin e këtij sistemi duke bërë me dije për Top Story se çmimet që kompanitë e certifikuara kanë raportuar, variojnë nga 5000 Lekë deri në 250 Euro. Të dhënat e nxjerra nga ofertat e kompanive sipas varianteve tregojnë për kosto shtesë që duhet të paguajë biznesi që variojnë nga 147 euro deri në 792 euro.

Rasti A
Pershtatja e pajisjeve fiskale ekzistuese 147 euro
Përshtatja e pajisjes 70 euro.
Karta SIM, 15 euro në vit.
Mirembajtje pajisjes fiskale 30 euro ne vit.
Certifikata elektronike 32 euro ne vit
Rasti B
Blerje e pajisjes se re 312 euro
Blerja e pajisjes 250 euro.
Karta SIM, 15 euro në vit.
Mirembajtje pajisjes fiskale 15 euro ne vit.
Certifikata elektronike 32 euro ne vit
Rasti C
Blerja e Softuare 792 euro
Blerja e pajisjes (kompjuter) 250 euro.
Blerja e printerit 110 euro
Internet vjetor 150 euro .
Instalimi i aplikacionit 130 euro
Mirembajtje vjetore e softëare 120 euro ne vit.
Certifikata elektronike 32 euro ne vit

“E kemi kundërshtuar si përfaqësi e shoqatës, sepse do I shtonte kostot sidomos bizesit të vogël. Në situatën kur shtohen kostot, biznesi i vogël është më i prekshëm nga kostot shtesë. Sa herë ndrrohen qeveritë sjellin kosto. Në 2010, detyroi qeverinë Berisha të rimbursonte kasat fiskale. Këtë I kemi kërkuar edhe kësaj qeverie. Ne nuk jemi kundër teknologjisë, por kemi kosto të rritur. Çmimet variojnë nga më të ndryshmet nga 200-1200 euro. Kjo varet nga cilësia dhe çfarë përmbajnë.” u shpreh Shpëtim Agolli, Shoqata biznesi i vogël.

“Në momentin që do ti ballafaqojmë bizneset me një praktikë fiskalizuese me kosto të lartë, do të ngelen jashtë loje bizneset e vogla, nuk kanë për ta paguar atë faturë. Duke mbetur jashtë loje bizneset e vogla, unë parashikoj jo sukses. Nuk po them dështimin, por jo sukses të kësaj politike. Mendoj që ka forma të tjera ende që duhen konsumuar, eksploruar në konsultim me biznesin sepse bizneset e mesme dhe të mëdha janë të interesuara për formalizimin dhe fiskalizimin dhe janë të gatshme të japin edhe zgjidhjet e tyre, alternativat e tyre se si mund të bëhet me disa mjete të tjera pa vajtur te deklarimi” u shpreh Alban Zusi, Qëndra Shqiptare e Eksporteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA