Vjosa Osmani takohet me Miroslav Lajčák dhe Matthew Palmer: Presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke!

31/05/2021 18:58

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu sot pati një takim përmbajtësor me zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit amerikan, z. Matthew Palmer dhe të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, z. Miroslav Lajčák.

Në takim me ta, Presidentja Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të përqendruara maksimalisht në menaxhimin e pandemisë, zbatimin e reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit, si prioritete themelore të institucioneve të vendit.

Ajo po kështu i falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në për përkrahjen që u kanë dhënë qytetarëve të Kosovës në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne. Ajo shprehu mirënjohjen ndaj Bashkimit Evropian për donacionin e vaksinave, dhe shprehu shpresën se edhe SHBA-të do të ndajnë një numër të vaksinave për qytetarët tanë.

Sa i takon procesit të dialogut me Serbinë, Presidentja ritheksoi qëndrimin e institucioneve se Kosova pret që procesi i dialogut të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve. Ajo ripërsëriti qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit. Për më tepër, Presidentja theksoi çështjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, si prioritet në këtë proces.
 
“Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme,” nënvizoi Presidentja Osmani . Z. Palmer dhe z. Lajčák, nga ana e tyre, e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA