Në një moment, kur Greqia dhe Turqia, dy vende fqinje dhe njëkohësisht anëtare të NATO-s, kërkojnë të rregullojnë marrëdhëniet e tensionuara në një seri mosmarrëveshjesh, mbërritja e ministrit të Jashtëm turk në Greqi, mesditën e së dielës në kuadër të kësaj përpjekjeje, ka shkaktuar përsëri tension.
Cavusoglou ka zgjedhur të shkojë në Athinë për vizitën zyrtare të së hënës dhe takimet me kryeministrin Mitsotakis dhe homologun Dhendias, nëpërmjet rajonit verilindor të Trakës, afër kufirit turk, ku ka takuar privatisht pjesëtarët e komunitetit mysliman, përfshirë këtu dhe dy myftinjtë në këtë zonë, të cilët Athina nuk i njeh zyrtarisht, ndërsa ka shkuar edhe në konsullatën turke.
Greqia e njeh këtë komunitet si një pakicë myslimane sipas marrëveshjes së Lozanës, të vitit 1923, por Turqia i referohet asaj si një pakicë etnike turke dhe këtë ka shprehur edhe ministri turk në deklaratat e para.
“Në mëngjes, do të kem vizita zyrtare me kryeministrin grek dhe z.Dendias dhe si gjithmonë, në këto bisedime do të sjell temën e të drejtave të pakicës turke në Traken perëndimore”, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.
Menjëherë ka ardhur përgjigja nga Ministria e Jashtme greke, në deklaratën për shtyp të së cilës i bëhet thirrje Turqisë të mos shtrembëroje realitetin, por të respektojë Traktatin e Lozanës, të cilën ajo e ka nënshkruar dhe është e detyruar të zbatojë si dhe faktin qe pakica myslimane në Trake ka 120,000 shtetas greke.
Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje për dekada në një seri çështjesh, siç janë të drejtat territoriale në Egje, kufijtë detarë dhe ato ajrorë, të drejtat e pakicave apo edhe ZEE. Vitin e kaluar, dy vendet arritën shumë pranë një konflikti të armatosur, ndërsa tashmë përpiqen të përmirësojnë gradualisht marrëdheniet.
Por, vizita e kreut të diplomacisë, Dhendias, në Ankara, prillin e kaluar dhe konferenca e shtypit me homologun e tij patën një shkëmbim të rrallë publik të akuzave të ndërsjellta.
Sipas mediave turke, agjenda e bisedimeve të Cavusoglu në Athine përmban: ZEE në Egje dhe Mesdheun Lindor, shelfin kontinental, çështjen qipriote, pozicionimin e Greqisë per gylenistët, praktikat e Greqisë kundër emigrantëve dhe dëbimeve, çështjet e pakicave në Traken perëndimore dhe propozimin e Ankarasë, për një konferencë ndërkombëtare në Mesdheun Lindor.
Top Channel