Shtëpia e Bardhë thotë se agjencitë federale amerikane në përgjithësi i rezistuan sulmit kibernetik për të cilin janë fajësuar operativë të Kremlinit, duke shtuar se kjo fushatë për vjedhje informacioni nuk duhet lejuar të dëmtojë më tej marrëdhëniet me Moskën para takimit të planifikuar mes udhëheqësve të dy vendeve muajin e ardhshëm.
Zyrtarët u përpoqën të minimizojnë përmasat e sulmit kibernetik duke e quajtur “tentativë bazike për vjedhje informacioni” gjatë të cilit hakerët kishin dërguar emaile me kode të dëmshme që vinin në shenjestër sistemet kompiuterike të disa agjencive federale, organizatave studimore dhe grupeve humanitare. Kompania Microsoft, e cila e bëri publik sulmin të enjten në mbrëmje, tha se beson që emailet e dëmshme ishin bllokuar nga parametrat mbrojtëse të sistemit.
Kompania tha se deri të premten pasdite nuk kishte diktuar “prova të ndonjë numri shqetësues organizatash të kompromentuara”. Megjithatë, njoftimi për një sulm të ri kibernetik ndërkohë që afron takimi i pritshëm Biden-Putin më 16 qershor, i bën edhe më kritike përpjekjet e administratës Biden për t’iu kundërpërgjigjur Kremlinit për aktivitetin e tij agresiv kibernetik që deri tani nuk ka ndalur megjithë sanksionet apo paditë penale.
“Nuk besoj se do të bëhet një burim i ri tensionesh, sepse tensionet janë gjithsesi të larta,” tha James Lewis, nënpresident i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.“Por kjo temë, pa diskutim do të jetë në axhendën e takimit. Presidenti duhet të vendosë caqe rusëve, t’ua bëjë të qartë se ka kaluar koha kur operativët e tyre bënin çfarë të donin”.
Takimi Biden-Putin zhvillohet ndërkohë që tensionet janë të larta mes dy vendeve si rezultat i ndërhyrjes së rusëve në zgjedhjet amerikane dhe nga penetrimi kibernetik në një numër agjencish qeveritare e organizatash private nga hakerë që mendohet se vepronin në emër të Rusisë. SHBA reagoi muajin e kaluar duke vendosur sanksione kundër rusëve; Kremlini u zotua të kundërpërgjigjej./VOA
Top Channel